Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër ndaj postimit të Liburn Aliut, i cili iu referua Albin Kurtit si kryeministër, raporton GazetaBlic.
Bajrami theksoi se, megjithë numrin e votave që ka marrë, Kurti nuk është më Kryeministër dhe se veprimet e tij janë shkelje të rëndë të Kushtetutës.
Ajo shtoi se Kurti dhe ministrat e tjerë të Qeverisë, përfshirë Albulena Haxhiun dhe Hekuran Muratin, janë deputetë dhe po veprojnë si qeveri, duke shkelur ligjet.
Bajrami kërkoi veprime të menjëhershme nga Prokuroria dhe paralajmëroi se LDK do të bëjë kallëzim penal për këtë çështje.
Shkrimi i plotë:
Albini nuk është Kryeministër
Me gjithë votat që ka marrë, ai në këtë moment është vetëm një nga 120 deputetët, i cili me konsistencë po vazhdon t’i shkelë ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Edhe nëse dikush përpiqet t’i amnistojë duke thënë se “Ligji për Qeverinë s’është ligj i hartuar mirë”, ne e kemi Nenin 72 të Kushtetutës, i cili është i prerë:
“Deputeti nuk mund të mbajë post ekzekutiv.”
Kjo nuk është çështje teknike. Kjo është shkelje e rendit kushtetues, marrje peng e institucioneve dhe shkelje e betimit të dhënë në Kuvend.
Po e përsëris: Albin Kurti nuk është më Kryeministër, as Albulena Haxhiu, as Hekurani Murati, as të tjerët nuk janë më ministra – janë deputetë që po vazhdojnë të sillen si qeveri, po i mashtrojnë qytetarët, po i shkelin ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
z. Kurti, bëji votat në Kuvend! Kthehu në zyrë me mandat të ri, ose eja në Kuvend dhe rri si deputet. Përndryshe, me këto sjellje dhe veprime je duke vazhduar me rrënim të rendit kushtetues.
Kushtetuta nuk është alternativë – është detyrim!
Abuzimi në emër të votës, abuzimi me pushtet dhe shkelja e ligjeve dhe e Kushtetutës nuk duhet të normalizohen. Prokuroria duhet të veprojë – tani!
P.S. LDK shumë shpejt do të bëjë kallëzim penal për këtë çështje.