Lajme

Kuvendi, “pika e dobët” e asamblistëve e kryetarëve komunalë

12/02/2021 19:25
nga:M K

Sistemi zgjedhor në Kosovë është i tillë. S’ka asgjë të sigurtë. As për kryetarin e ndonjë komune, e as për asamblistin.

Ani pse “kolltuku” i të parit të komunës dhe Kuvendit Komunal janë dy qeverisje të ndryshme, ato janë të lidhura ndjeshëm me njëra-tjetrën, përcjell GazetaBlic.

Në zgjedhjet lokale në Kosovë, ku çdo komunë është zonë e veçantë zgjedhore, votohet veç për kryetarin e veç për partinë, respektivisht asamblistin përfaqësues.

Kjo do të thotë që një kryetar që vie nga një parti e vogël, që nuk siguron numra në parlamentin lokal, do ta ketë të vështirë qeverisjen. Ligji për vetëqeverisjen lokale ia siguron pozitën, por ai do ta ketë të pamundur ta kryejë me përgjegjësi, nëse nuk gëzon besimin e asamblistëve.

Eugen Cakolli nga KDI, në një prononcim për GazetaBlic, ka dhënë detaje rreth asaj sesi funksionin ky bashkëdyzim mes kryetarit e kuvendit.

“Kuvendi i Komunës është institucioni më i lartë nga ana e ligjit për vetëqeverisje lokale, megjithatë një pushtet i tillë është kryesisht nominal, meqenëse pushtetin faktik në një komunë e ka kryetari i saj, i cili përveç funksionit ekzekutiv ka në masë të madhe ndikim në funksionin e Kuvendeve Komunale e në fakt mund të jetë edhe përcaktues për vet mënyrën sesi merren vendimet”, tha fillimisht ai.

Në anën tjetër Cakolli shtoi detaje sesi duhet zgjedhur Kryesuesi i Kuvendit, teksa tha se rrallë ndodhë që të ketë zgjedhje të reja për shkak të mosvotimit të kësaj pozite.

“Sa i përket kryesuesit të Kuvendit, si i tillë, ai do të duhej të zgjidhej nga ana e anëtarëve të Kuvendit Komunal dhe ai do të duhej të zgjidhej me votën e shumicës së anëtarëve dhe me votim të fshehtë. Megjithatë, nëse nuk sigurohet një shumicë e tillë, organizohet raundi i dytë, mes dy kandidatëve që kanë siguruar numër më të madh të votave, gjithmonë me parimin që pastaj të sigurojë gjysmën e Kuvendit”, vazhdoi Cakolli.

Në fund fare ai shtoi se nëse ndodhë që brenda 30 ditësh Kuvendi nuk e gjen emrin e Kryesuesit, i njëjti Kuvend llogaritet jofunksional.

“Ajo që ia vlen të përmendet është se legjislacioni zgjedhor përcakton që mbledhja inauguruese dhe mbledhjet që mbahen para zgjedhjes së kryesuesit, ta zëmë nëse nuk arrihet të zgjidhet kryesuesi, këtë funksion e ushtron personi më i moshuar i Kuvendit i pranishëm.

Ligji për vetëqeverisje lokale përcakton se nëse kryesuesi nuk zgjidhet brenda 30 ditësh nga seanca inauguruese, atëherë i njëjti llogaritet jofunksional dhe stafeta kalon tek Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal që konform Ligjit për Zgjedhjeve e shpërndanë Kuvendin”, ka thënë mes tjerash Cakolli për GazetaBlic.

Vushtrria është një nga ato komuna ku kryetari apo partia e tij nuk e ka gjysmën e Kuvendit Komunal. I pari i qytetit më të vjetër në vend, Ferit Idrizi, që në raundin e balotazhit të Zgjedhjeve Lokale triumfoi përballë kreut aktual, Xhafer Tahiri, ende nuk e ka marrë përgjigjen e Lëvizjes Vetëvendosje, edhe pse ofertën veçse ia ka dërguar.

“Nuk ka asgjë konkrete. Unë kam thënë edhe më herët që koalicion për ta fituar mandatin si kryetar e kam me qytetarët e Vushtrrisë, ku edhe rezultoi tregoi se kam afro pesë mijë vota përtej partisë, ndërkaq sa i përket koalicionit qeverisës iu kam ofru mundësi partive politike, me disa veç i kemi përfundu pas raundit të parë, me Lëvizjen Vetëvendosje i kam bë ofertë edhe njëherë, nuk kam ndonjë përgjigje”, tha fillimisht ai.

Ndërkaq, sa i përket seancës konstituive Idrizi tha se e njëjta do të mbahet të hënën, pasi Xhafer Tahiri përmes përfaqësuesit e tij e ka ftuar që të hënën do të bëhet edhe pranim-dorëzimi i detyrës, e ku më pas do të procedohet me betimin e kryetarit të ri e asamblistëve të rinj.

“Të hënën e kemi seancën inauguruese, pra të pranim-dorëzimit të detyrës. Zotëri Tahiri përmes përfaqësuesit të tij më ka ftuar që të hënën nga ora 09:00 ta pranojë detyrën, në ora 10:00 e kemi seancën ku do ta bëjë betimin edhe unë e edhe asamblistët, kurse gjatë javës së ardhshme mendoj ta formojmë edhe qeverinë. Emrat e drejtorëve nuk i kemi përzgjedhë për shkak se ftesën ia kam bë Vetëvendosjes dhe nuk do të ishte korrekte t’i caktojmë emrat”, vazhdoi ai.

Në fund fare, ai tregoi se nga cilat drejtori nuk heqë dorë, pasi i cilëson si tejet të rëndësishme. Në fakt për të dytën thotë se ka kërkuar nga shoqëria civile që t’ia dërgojë emrin e arkitektit ose të ndonjë profesionisti tjetër.

“Dy janë pozitat nga të cilat nuk kam hequr dorë: drejtoria e arsimit pasi dua të merrem më shumë me të dhe ajo e urbanizmit, ku u kam thënë arkitektëve, respektivisht shoqërisë civile që të ma dërgojnë emrin”, përfundoi Idrizi për GazetaBlic.

/GazetaBlic/