Lajme

Kush janë skafistët shqiptarë dhe ukrainas që ranë në prangat e policisë, shkëmbyen 992 kg drogë mes detit

08/08/2022 14:37
nga:N M

Në operacionin e zhvilluar ditën e sotme nga Policia e Vlorës në bashkëpunim me Guarda di Finanza, ku u sekuestruan rreth 1 ton mariuanë u përshinë rreth 250 forca policore, të cilat zhvilluan kontrolle dhe ndjekje nga toka, deti dhe nga ajri me helikopter të GDF-së dhe Frontex-it.

Kontrollet u finalizuan me bllokimin e mjetit lundrues që kishte lëndën narkotike dhe arrestimin e personave që kishin organizuar trafikimin e saj.

Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Guardia di Finanza, bazuar në informacionet e marra nga strukturat hetimore të Policisë së Shtetit se disa shtetas kishin transportuar drejt një mjeti lundrues, një sasi lënde narkotike, kanë organizuar dhe finalizuar me sukses operacionin e koduar koduar “SYRI”.

Si rezultat i operacionit, nga shërbimet e Policisë së Shtetit u bë i mundur identifikimi i personave që dyshohet se kishin transportuar lëndën narkotike, me 3 mjete lundruese, drejt një mjeti tjetër lundrues në thellësi të detit.

Nga Policia e Vlorës u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve me iniciale Arbër Saraseli,., 31 vjeç, Saverjo Imeraj 22 vjeç dhe Qemal Pekmezi 19 vjeç, si dhe u bë shpallja në kërkim e shtetasit Gregor Likaj , 33 vjeç, të katërt keta banues në Vlorë.

Gjithashtu, gjatë operacionit u kapën në flagrancë, në ujërat italiane, nga Guardia di Finanza, shtetasit me iniciale B. S., 43 vjeç dhe S. S., 62 vjeç, të dy me shtetësi ukrainase.

Shtetasit e arrestuar në Vlorë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, më datë 07.08.2022, rreth orës 15:00, dyshohet se kanë transportuar lëndën e dyshuar narkotike marijuanë, me 3 skafe drejt një mjeti tjetër lundrues, në thellesi të ujërave të detit Jon dhe më pas e kanë nisur atë drejt Italisë.

Si rezultat i zhvillimit të operacionit të përbashkët, nga autoritetet e Guardia di Finanza është kapur në ujërat italiane, mjeti lundrues me të cilin transportohej lënda narkotike. Shërbimet e GDF-së, gjatë kontrollit në bordin e mjetit lundrues, kanë sekuestruar një sasi prej 992 kg lëndë të dyshuar narkotike marijuanë, e ndarë në 153 pako.

Në vijim të operacionit, gjatë kontrollit në banesën e shtetasit S. I., në Vlorë, shërbimet e DVP Vlorë gjetën dhe sekuestruan një sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis, sekuestruan 3 mjete lundruese (skafe), 3 aparate celulare dhe 2 automjete.

Nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë vijon puna për dokumentimin e plotë të këtij rasti, kapjen dhe vënien në pranga të personave të tjerë të implikuar në trafikimin e lëndës narkotike.

Ky operacion është tregues i qartë i bashkëpunimit mjaft të mirë me GDF, Zyrën e Interforce së Policisë Italiane dhe Oficerët e Policisë Italiane pranë QNOD, si dhe i masave të marra nga Policia e Shtetit, për parandalimin dhe goditjen e trafikimit të lëndëve narkotike.

Sigurojmë qytetarët, se Policia e Shtetit është tërësisht në shërbim të tyre, për t’ju ofruar një shërbim sa më cilësor dhe parametrat më të mira të rendit e të sigurisë, si dhe është shumë e vendosur për të luftuar bashkërisht me partnerët, dhe agjensite ligjzbatuese krimin e organizuar dhe trafiqet e paligjshme. Top Channel