Lajme

“Kurti ka plan ta dështojë shtetin”/ Kastrati: Ai dëshiron ta normalizojë bllokadën – partitë s’janë të gatshme për zgjedhje

05/20/2025 22:35
nga:G B

Nesër (21 maj) do të mbahet seanca e Kuvendit, ku do të jetë përpjekja e 19-të për konstituim.

Profesori universitar, Ardian Kastrati, njëherësh ish deputet i PDK-së, në një prononcim për Gazeta Blic, ka folur për propozimin e VV-së që seancat e Kuvendit të mbahen vetëm një herë në javë, pasi nuk po kanë rezultat.

Sipas tij, kjo është përpjekje e Kurtit për ta normalizuar bllokadën.

“Propozimi i Vetëvendosjes që seancat e Kuvendit të mbahen vetëm një herë në javë, në një kohë kur vendi gjendet në krizë funksionale institucionale, është përpjekje e Kurtit për të normalizuar bllokadën politike. Pas 18 tentativave të dështuara për konstituimin e Kuvendit, ky propozim ngjan në strategjitë e mirënjohura të VV-së për amortizim të krizës dhe s’ka të bëjë me ofertë reale për zgjidhje”, u shpreh ai.

Kastrati ka komentuar dhe deklaratën e Kurtit se s’ka urgjencë për formim të institucioneve.

“Deklarata e deputetit Albin Kurti, i cili thotë se “nuk ka urgjencë për formimin e institucioneve” është një shprehje flagrante e shkëputjes së tij nga realiteti politik, ekonomik dhe gjeopolitik që e rrethon Kosovën. Në një kohë kur Ballkani ndodhet në një fazë të ndjeshme të rivendosjes së balancave strategjike ndërkombëtare, me tensionet në veri, me dialogun me Serbinë të stërzgjatur dhe me sanksione të drejtpërdrejta nga BE-ja, të thuash se nuk ka urgjencë është, në minimumin më të butë, një manifestim i papërgjegjshmërisë totale politike”, theksoi profesori.

Ai shpjegon se Kosova ka humbur dhjetëra miliona euro nga fondet e BE-së, për shkak të mos formimit të institucioneve.

“Në fakt, Kosova ka humbur tashmë dhjetëra miliona euro nga fondet e BE-së, për shkak të mos themelimit te Kuvendit. Plani i rritjes së BE-së përfaqëson një mundësi unike për transformim ekonomik, por Kurti, duke propozuar një figure qesharake si Albulena Haxhiu po insiston ne bllokade duke ofruar vetëm dogmatizëm, izolim dhe sadizëm institucional, duke i lënë qytetarët të vuajnë në vakuum institucional dhe pa perspektivë”, shtoi Kastrati për Gazeta Blic.

Po ashtu, ai ka përmendur suksesin e Shqipërisë për Samitin e Komunitetit Politik Evropian me pjesëmarrjen e 47 krerëve të shteteve dhe qeverive.

“Në kontrast të plotë me Kosovën, Shqipëria – përmes një menaxhimi proaktiv – jo vetëm që organizoi me sukses Samitin e Komunitetit Politik Evropian me pjesëmarrjen e 47 krerëve të shteteve dhe qeverive, por është duke përjetuar një bum investimesh të huaja, një rritje të ndjeshme të pranisë diplomatike dhe një rekord të ri me miliona turistë që po kontribuojnë direkt në zhvillimin ekonomik. Ky është shembulli se si liderët që kuptojnë realitetin global dhe dinë të menaxhojnë marrëdhënie ndërkombëtare mund të sjellin rezultate konkrete për vendin e tyre”.

Ai shton se për shkak të Kurtit, Kosova ndodhet në bllokadë.

“Ndërsa, për shkak të Albin Kurtit, Kosova ndodhet në një bllokadë të plotë institucionale, me një Qeveri në detyrë që qeveris pa Kuvend aktiv, pa kontroll demokratik dhe pa agjendë të qartë. Në vend të një politike që shfrytëzon momentin gjeopolitik për integrim dhe zhvillim, Kurti ka zgjedhur kursin e autokracisë ideologjike, që e ka kthyer Kosovën në një ishull të izoluar duke u përplasur me të gjithë – nga Brukseli e Berlini, deri në Uashington”, potencoi Kastrati.

Sipas tij, e gjithë kjo është plan i Kurtit për ta dështuar shtetin.

Në këtë kontekst, mungesa e urgjencës për formimin e institucioneve është më shumë se deklaratë politike: është reflektim i një qasjeje anti-demokratike, anti-Kosovë që shpërfill vullnetin e qytetarëve dhe i shërben vetëm zgjatjes së pushtetit të një individi në kurriz të mirëqenies dhe të ardhmes së vendit. Në kohën e lëvizjeve të fuqive në arenën globale, kjo qasje përbën rrezik strategjik për stabilitetin dhe të ardhmen e shtetit. Ky nuk mund të quhet ndryshe përveçse plan i qartë i Kurtit për ta dështuar shtetin”, theksoi profesori universitar.

Megjithatë, ai fajëson edhe partitë tjera ish opozitare.

“Në anën tjetër, opozita nuk është krejt pa faj sepse nuk kanë koordinuar përpjekjet për të gjetur zgjidhje, por janë barrikaduar në qëndrime të ndryshme, gjë që i konvenon edhe Kurtit. Ata nuk janë takuar ndërmjet vete për të diskutuar zgjidhjet e mundshme, ndërsa takimi te Presidentja ishte i kotë ashtu si edhe vet figura politike e Osmanit. Si duket, as opozita nuk i ka votat për të themeluar qeverinë, andaj janë bërë bashkëlojtarë në këtë lojë të pistë të Kurtit”, shtoi ai.

Kastrati thotë se partitë nuk janë të gatshme për zgjedhje të reja.

“Unë besoj qe deklaratat se jemi të gatshëm për zgjedhje janë gënjeshtra nga të gjitha partitë politike sepse asnjëra nuk është e gatshme të shkojë në zgjedhje. Rrjedhimisht, po qëndrojnë të gjitha të barrikaduara dhe ky ngujim politik e bllokadë institucionale ka koston më të madhe vetëm për qytetarin i cili po përballet me rritjen astronomike të çmimeve duke rrezikuar deri në kufi të mbijetesës. Nuk e di me çfarë morali do ta kërkojnë votën në zgjedhjet e radhës dhe nuk e kuptoj po ashtu se me çfarë morali dikush mund t’i votojë të njëjtit. Kosova kurrë nuk ka qenë më keq”, deklaroi Ardian Kastrati./Gazeta Blic/

18 dështime të Kuvendit për konstituim/ Izmaku: Për keqardhje – duhet përkushtim nga të gjitha palët për tejkalim të ngërçit

“Albulena Haxhiu po përdoret për bllokadë”/ Analistët: Formimi i institucioneve urgjencë – Kosova po humb miliona

Kurti: Kemi besuar që konstituimi të bëhet më shpejt – nesër nuk është në pyetje Albulena Haxhiu por mënyra e votimit

“Komandant Çeliku u kthye në Kuvend”/ Kurti për Limajn: S’mund t’i jap postin e kryeparlamentarit një partie me 3 deputetë