Lajme

“Kurti është mësuar mos ta kundërshtojnë”/ Jasharaj: Nagavcit ende nuk i ka kaluar inati i grevës – thotë se s’ka kohë për takim

04/18/2024 14:44
nga:G B

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka folur për sulmet e Qeverisë Kurti ndaj sindikatave në përgjithësi, e në veçanti asaj të arsimit.

Ai në një intervistë për Gazeta Blic, thotë se Kurti është mësuar që mos ta kundërshtojnë dhe sindikata e arsimit llogaritet si sindikata më e madhe në vend.

“Po në përgjithësi ndaj sindikatave është sepse z.Kurti nuk është mësuar t’ia prishin, ta kundërshtojnë. Pse ndaj nesh, sepse ne konsiderohemi si sindikata më e madhe numerikisht, ngase fatmirësisht nuk është arritur që dikush të na bëjë përçarje. SBASHK-u është sindikatë që 33 vite dhe këtë unitet e kemi dhuratë të vite 90-ta dhe ka mbetur disi si amanet i yni që ta ruajmë SBASHK-un dhe jemi unik dhe jemi sindikata më e madhe dhe me siguri qeveria dhe ka menduar se po të na shkatërrojë neve, me sindikatat më të vogla do ta ketë shumë më lehtë”, thotë ai.

Jasharaj thotë se SBASHK i ka tejkaluar edhe barrierat e e-Kosova dhe janë rikthyer në këmbët e tyre.

“Me të tjerët nuk e di a ka arritur diçka, me neve nuk ka arritur dot sepse ne edhe me e-Kosova i kemi tejkaluar barrierat dhe jemi duke i kthyer një për një anëtarët tonë sepse ata i besojnë SBASHK-ut, ndërsa ata që nuk u kthyen në fillim pasi ishte një proces goxha i vështirë në e-Kosova. Ne jemi rikthyer, jemi në këmbët tona. Çfarë do të ndodhë pas 1 majit do të shohim se si do të vendosë kryesia dhe besoj edhe sindikatat tjera”, thekson ai për Gazeta Blic.

Kreu i SBASHK-ut po ashtu ka folur edhe për kërkesat që i kanë bërë për takime me ministren Nagavci dhe arsyetimet që janë bërë nga kabineti i saj se ministrja është tejet e angazhuar.

“Qeveria nuk i shkruajmë ne por kryetari i sindikatave të bashkuar të Kosovës, por edhe aty përgjigjet kanë qenë të zbehta, premtuan se do të kemi takim. Ndërsa sa i përket SBASHK-ut, ne kemi bërë kërkesa fillimisht pas greve dhe në muajt pasues i kemi bërë kërkesë zonjës Nagavci për takim, jo të pimë kafe dhe të bëjmë fotografi por t’i tregojmë cilat janë shqetësimet kryesore e cila është gjendja kryesore në arsimin në Kosovë. Kabineti i saj është arsyetuar vazhdimisht me arsyetime të pakuptueshme e të paqëndrueshme, gjoja se zonja Nagavci është tepër e angazhuar si brenda edhe jashtë Kosovës dhe nuk paska kohë të takohet me neve”, shprehet ai.

Jasharaj mendon se Nagavci nuk është aq e angazhuar e frytdhënëse sa të mos ketë kohë të takohet me sindikatën, por vlerëson se asaj nuk i ka kaluar inati për shkak të grevës dhe dirigjohet nga Kurti.

“Unë konsiderohej se ajo ka kohë pasi ajo takohet me grupe të vogla që është mirë që takohet por nuk mendoj që Nagavci është aq e angazhuar e aq frytdhënëse sa të mos ketë kohë që brenda një muaji ta gjejë një orë për t’u takuar me përfaqësues të arsimit por si duket ende nuk i ka ikur inati pse ndodhi greva dhe nuk i ka ikur inati pse grevës iu përgjigjën 98 për qind të punëtorëve të arsimit dhe duket se ajo nuk mund ta tejkalojë këtë inat dhe mbase edhe e dirigjuar edhe nga z.Kurti ajo dhe ministrat tjerë kanë marrë urdhër nga ai që të mos takohen me sindikatat nga inati pse ndodhën grevat dhe kjo qasje e gabuar mund të na sjell në situata tjera të cilat nuk mund t’i parashikoj tani, por po e them në emër timin si kryetar dhe të stafit dhe kryetarëve të nivelit komunal dhe universiteteve, ne do të jemi në ballë të çdo veprimi që e kërkon anëtarësia e SBASHK-ut, cilado qoftë por uroj që të kemi mirëkuptim me anëtarësinë që ky vit shkollor të mos dëmtohet me greva, ngase maturantët në maj e përfundojnë vitin shkollor dhe ngase ky vit shkollor është dëmtuar goxha shumë me mungesë të teksteve në fillim të vitit shkollor sepse na shkoi shtatori dhe një pjesë e tetorit gjersa u furnizuan nxënësit dhe d.m.th mjaft është prekur sistemi arsimor dhe uroj që këtë vit shkollor të mos kemi kërkesa për greva më të gjata. Uroj që këta muaj qeveria t’i respektojë kërkesat tona dhe të ulemi të bisedojmë në mënyrë që të fillojmë me zgjedhjen e tyre, në mënyrë që shtatorin ta fillojmë pa greva e me tekste shkollore me kohë”, përfundon kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj./Gazeta Blic/