Lajme

“Kurti e quajti vendim të Millosheviqit por u dorëzua – askush s’ka garanci për anëtarësim në KiE, ka rrezik që si kusht të futet Asociacioni”

03/15/2024 22:12
nga:G B

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, në intervistën për BlicInterview me Astrit Gashin ka folur edhe për atë se a është zbutur Escobar me Kurtin, pas vendimit të tij për Manastirin e Deçanit.

Ai thotë se vendimi është pritur të zbatohej pasi ka qenë i Gjykatës Kushtetuese, mirëpo që Kurti e ka quajtur vendim të Millosheviqit por që tani u dorëzua.

“Po jo se ky është një vendim të cilin realisht është pritur të zbatohet për të qenë krejtësisht fer nga kjo qeveri e qeveria paraprake sepse kanë kaluar disa vite që ka qenë obligim. Unë e kam thënë qysh herët se ne nuk mund të sillemi me Gjykatën Kushtetuese si me një tavolinë suedeze në mëngjes, ku mund të zgjedhim sepse vendimet janë obligative që të gjitha, disa na pëlqejnë, disa nuk na pëlqejnë por nëse flasim për sovranitetin, atributi më i rëndësishëm i tij është Gjykata Kushtetuese e pavarur dhe e paanshme, e cila e ka dhënë verdiktin për aktgjykimin e Gjykatës Supreme por problematike është fakti që Albin Kurti e ka quajtur këtë vendim të Millosheviqit, e ka quajtur tradhti, e ka pasur gjuhën më të egër të mundshme e më helmuese për të përçarë edhe opinionin publik, për një nga çështjet më kryesore për Manastirin e Deçanit, duke thënë se asnjëherë s’do ta zbatojë, duke pasur ministra aktual që kanë thënë se do të japin dorëheqje nëse kërkohet zbatimi i tyre dhe tani në një mënyrë krejtësisht perfide u dorëzua. Nuk po e vlerësoj a është vendim i drejtë apo jo sepse është dashur të ndodhë një gjë e tillë. Së pari, harrojeni Këshillin e Evropës, së pari po flasim për karakterin e Kosovës, e duam të tregojmë që jemi shtet që e zbatojmë sundimin e ligjit, që i zbatojmë vendimet e gjykatave apo jo, sepse në sytë e ndërkombëtarëve ky ka qenë problemi themelor”, shprehet ai.

I pari i PDK-së thotë se SHBA-të e kanë përshëndetur vendimin por që ka qenë kusht për një hap në KiE, teksa beson se do të votohet favorshëm.

“Ata e kanë përshëndetur sepse ata e kanë vlerësuar të duhur por unë nuk mendoj nëse ka pasur kalkulime se kjo do ta ndihmojë Kosovën ndërkombëtarisht, nuk e shoh ashtu sepse ky është llogaritur obligim, ka qenë kriter, e kam lexuar raportin e ekspertëve, aty është bërë e qartë, pa zbatimin e vendimit për Manastirin as që do të diskutohej për Kosovën. Tash së paku është arritur që në mes të prillit në sesionin e ardhshëm të asamblesë parlamentare të Këshillit të Evropës, do të diskutohet dhe unë besoj se do të votohet favorshëm për të kaluar hapin e ardhshëm”, thotë Krasniqi.

Derisa aktuale ishte çështja e dinarit dhe jo ajo e Manastirit, ai thotë se këtë e aktualizoi Këshilli i Evropës dhe se do të humbte mundësia për të qenë në rend dite.

“Po Këshilli i Evropës e aktualizoi sepse u bë pengesë e madhe, në kuadër të asaj që u cilësua si kriter për të lëvizur tutje dhe raporti që e përmenda e ka specifikuar qartë se ky është tashmë kusht dhe pa zbatimin e saj nuk futet as në rend dite dhe tashmë me një situatë të presionit është arritur që të futet në rend dite, besoj do të konfirmohet me datë 22 mars dhe pastaj në mes të prillit do të votohet por kjo nuk është fundi i anëtarësimit sepse pastaj duhet kaluar edhe në Këshill të Ministrave në fund të muajit maj, pa çka nuk mund të themi se nuk mund të kemi kushtëzime të tjera”, thekson ai.

Por, Krasniqi potencon se ky vendim nuk e garanton që do të votohet pro Kosovës në KiE, s’ka garanci as Kurti e ka Osmani dhe që Asociacioni nuk është kusht për këtë proces, pasi është hequr pas lobimit që kanë bërë.

“Do të duhej por unë s’jam i sigurt. Nuk besoj që na e garanton. Për një gjë ne ia kemi dhënë dorën kryeministrit Kurti, për propagandist është më i mirë se të gjithë që kanë qenë e që janë, e s’besoj që do t’ia kalojë kush për propagandë, manipulim e mashtrim. Ai prapë mund ta luajë viktimën, kalon e thotë se e mashtruan. Por e vërteta është se nuk ka garanci, nuk i ka garantuar askush as kryeministrit e as presidentes që me vendimin për manastirin e keni të kryer anëtarësimin. Besoj që është mirëkuptuar që hapi i radhës do të  realizohet e që është asambleja parlamentare e Këshillit të Evropës por hapi më i rëndësishëm në votimi me 2/3 nga ana e ministrave nuk jam i sigurt se do të ndodhë, nuk po them që është e drejtë, në fakt do të ishte problematike sepse raporti i ka këto kritere Manastirin, çështjet që lidhen me shpronësimet në veri dhe gjëra të tilla, as Asociacioni nuk është kusht dhe më vjen mirë që kemi arritur bashkë të lobojmë që ta heqim kushtin e Asociacionit. Fillimisht ka qenë Asociacionit si kusht por t’ju them të drejtën jemi angazhuar të gjithë por a do të vihet në kuptimin joformal si kërkesë nga ndonjë prej shteteve të fuqishme atë asnjëherë s’mund ta themi me siguri”, shton kreu i PDK-së.

Mirëpo, ai nuk e sheh poshtë mundësinë që Asociacioni të futet si kusht dhe shton se nëse futet ai si kusht, nuk kalon.

“Nëse hyn Asociacioni në mes, unë nuk pres që kalon. Unë besoj që rrezik ka duke u nisur prej përvojave të kaluara, sepse tash nuk besoj që ka dikush garanci që është kryer me dje dhe se përjashtoj si mundësi. Problemi është se nëse nuk kalon në fund të majit anëtarësimi unë frikësohem se gjërat do të komplikohen, për shkak të zgjedhjeve të brendshme në disa shtete që janë kundër Kosovës. Rreziku ekziston gjithmonë dhe këtu është problemi që ky kryeministër e kjo qeveri edhe kur bëjnë veprime që tërhiqen nga gabimet e tyre, nuk prodhojnë rezultat pozitiv. Ne kemi kërkuar që aplikimi të bëhej më herët por qeveria nuk e ka bërë dhe ka humbur një 6 mujor. Sikur të ishte bërë më herët, ndoshta do të ishte realizuar anëtarësimi”, vlerëson ai.

Krasniqi thotë se Kurti hap një temë dhe më pas tregon qëndrimin kundër e prishë raportet me tërë botën, ndërsa në fund tërhiqet por që më pas s’ka rezultat.

“Por tashmë kjo është çështje spekulimesh por e vërteta është që vonesat i kanë kushtuar jo vetëm Qeverisë por Kosovës. Në fund të fundit kjo është një trajektore e veprimit të kryeministrit. Ky e krijon një temë, është shumë i ashpër në qëndrimin e tij kundër dhe pastaj tërhiqet. Kështu ka bërë me tabletat e veturave, me dokumentet, me zgjedhjet në katër komunat, tash me Manastirin, me dialogun marrëveshjen, e me Asociacionin, d.m.th, ky është modeli i veprimit të tij, krijon një qëndrim populist, i manipulon njerëzit që është i vendosur, i qëndrueshëm dhe nuk tërhiqet dhe pastaj i prishë raportet me krejt botën në ndërkohë dhe në fund edhe kur tërhiqet, as nuk mund të jetë rezultati pozitiv e as të kthehet ku ka qenë, por thjeshtë është një veprim i cili mund të sjell një dobi të vogël afatshkurtër por jo suksesin dhe rezultatin që do të mund ta bënin nëse do të veprohej mençurisht dhe racionalisht e në pajtim me partnerët në kohën e duhur”, thotë ai.

Por, a pret ai që të ketë përmirësim të raporteve mes Qeverisë e SHBA-ve?

Krasniqi ka përshtypjen se një gjë e tillë nuk do të ndodhë dhe duke qenë në vit zgjedhor, Kurti do të hyjë në kalkulime për vota, por që shpreson që zgjedhjet të mbahen sa më parë.

“Unë nuk mund të flas në emër të SHBA-ve por mund të ta jap përshtypjen time. Përshtypja ime është se nuk do të ketë përmirësim të komunikimit mes Qeverisë dhe kryeministrit Kurti me asnjë prej partnerëve, sepse veç jemi në vit zgjedhor. Zgjedhjet mund të mbahen në qershor, në tetor, më shumë do të ndikojë në ditën e mbajtjes së kryeministrit, siç ka ndodhur në të kaluarën që kryeministrat e tjerë kanë vendosur për zgjedhje të parakohshme dhe unë besoj që tashmë kryeministri do të hyjë në kalkulime politike se si mund të krijojë kriza të reja populiste, për ta mobilizuar votën e vet që të shitet si një sovranist i fortë sepse për çështje tjera s’ka çfarë të tregojë, s’mund të flasë për ekonomi, arsim e shëndetësi, as për politikë të jashtme sepse s’kemi. Më mirë mos të kishim pasur ministri të jashtme se atë që e kemi skandaloze, kështu që besoj që ai do të hyjë në këtë temë qysh na ka befasuar me dinarin. Nuk pres përmirësime të raporteve, vetëm shpresoj që zgjedhjet të mbahen sa më shpejt, që mënyrë që t’i rikuperojmë raportet edhe me partnerët, në mënyrë të veçantë me SHBA-të”, deklaron Krasniqi./Gazeta Blic/