Lajme

Kryetari i Zubin Potokut: Akoma mund të ketë grupe terroriste në veri – Kosova ta vazhdojë dialogun me disa vija të kuqe

09/29/2023 20:45
nga:Sh R

Kryetari i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, në një prononcim për Gazeta Blic, ka komentuar ngjarjet e fundit që u zhvilluan në veri të vendit, ku si pasojë e një sulmi terrorist, mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Zeqiri e dënon këtë sulm terrorist ndaj Kosovës.

“Të them të drejtën së pari do dëshiroja të dënoja këtë sulm terrorist që i është bërë Republikës së Kosovës, ku si pasojë është vrarë një polic që është një humbje e madhe për ne”, tha ai.

Sipas tij, edhe më parë ka pasur parashenja të këtyre grupeve kriminale, ku ai potencon se akoma nuk janë larguar të gjithë nga veriu dhe se akoma mund të ketë grupe kriminale terroriste në veri, të cilët sipas tij, veprojnë me mbështetjen e Serbisë dhe Rusisë.

“Do të thotë parashenjat kanë qenë edhe më parë të këtyre grupeve kriminale terroriste që janë sjellë dhe akoma nuk do të thotë se nuk kanë mbetur këtu mirëpo kjo është drejtpërsëdrejti sulm kundrejt sovranitetit, kundër ligjit, kundër Kushtetutës së Republikës së Kosovës natyrisht me mbështetjen e Serbisë dhe Rusisë si duket”, u shpreh Zeqiri për Gazeta Blic.

Tutje, ai thotë se ngjarjet e fundit kanë ndryshuar goxha shumë agjendën e bisedimeve.

“Besoj që këto ngjarje kanë ndryshuar goxha shumë agjendën e bisedimeve për shkak se siç u pa, arsenali i shumtë i armatimit që është koncentruar këtu dhe nuk do të thotë se është zënë krejt, do të thotë këtu ka prapaskena, d.m.th, vetë ngjarjet kanë treguar shumë se çka po synohet”, shtoi ai.

Kryetari i Zubin Potokut vlerëson se Kosova bisedimet duhet t’i vazhdojë për zgjedhjen e problemeve, me vija të kuqe në disa raste.

“Mendoj se bisedimet natyrisht duhet t’i vazhdojë Republika e Kosovës, për zgjedhjen e problemeve të saj, mirëpo duhet të ketë edhe vija të themi ashtu të kuqe në disa raste sepse synimet po dihen, synimet sipas mendimit tim janë aneksim territoresh, ndarje etnike që mund të prodhojnë gjakderdhje të re në këto treva duke u sulmuar Kosova, nuk do të thotë që do të ndalet vetëm në Kosovë, mund të zgjerohen këto gjëra, këto janë shenja ogurzeza”, deklaroi Izmir Zeqiri./Gazeta Blic/

SHBA i kërkon Serbisë të tërheqë trupat ushtarake nga kufiri me Kosovën