Kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj shprehet shumë i lumtur me sukseset e klubit të Ballkanit në arenën ndërkombëtare deri më tani, teksa shpreson që të enjten të shkruhet historia në ballafaqimin ndaj Shkupit.
Ballkani dhe Shkupi takohen të enjten me fillim nga ora 20:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” – në ndeshjen që vlen për kualifikimin në grupet e Conference League. Skuadra kosovare ka triumfuar në Shkup me rezultatin 1:2 në sfidën e parë.
Muharremaj thotë se të enjten Ballkanit i duhet një mbështetje e madhe nga gjithë qytetarët e Kosovës.
“Të enjten shpresojmë në fitoren e Ballkanit. Na duhet përkrahje e madhe, pasi Ballkani tani nuk është veç i Suharekës, është i Kosovës. Shpresojë që tifozët nga Prishtina, Mitrovica, Gjilani e të gjitha qytetet tjera të na përkrahin në këtë ballafaqim. Jam shumë i lumtur me suksesin e ekipit”, tha fillimisht Bali Muharremaj për ‘GazetaBlic Sport’.
Muharremaj është një nga kryetarët që i jep rëndësi të madhe sportit – teksa nuk mungon në ndeshjet e Ballkanit – si në arenën ndërkombëtare, ashtu edhe në Superligën e Kosovës.
“Pavarësisht angazhimeve, mundohem që gjithmonë të shikojë nga afër ekipin e Ballkanit dhe ekipet tjera të Suharekës, jo vetëm në ndeshjet si vendas, por edhe në ndeshjet si mysafir”, vazhdoi Muharremaj.
Në fund, Muharremaj potencoi se po punon bashkë me donatorët që të bëjnë një organizim të madh për udhëtimin në Prishtinë të enjten. Rreth 1000 bileta dhe 20 autobusë mund të sigurohen – megjithatë për këtë ende është duke u punuar dhe nuk është finalizuar ende.
“Po mundohem që bashkë me donatorët e qytetit t’i organizojë 20 autobusë që të udhëtojnë për në Prishtinë që ta shikojnë ndeshjen Ballkani – Shkupi. Akoma nuk është e sigurtë, megjithatë po mundohem që 1000 bileta të jenë falas për tifozët që do të udhëtojnë”, përfundoi ai.
/GazetaBlic Sport


