Lajme

Krasniqi: Marrëveshja pa njohje, me asociacion e autonomi për serbët dështim i madh – do ta paguajmë shtrenjtë

03/19/2023 12:24
nga:G B

Lideri i PDK-së, Memli Krasniqi, ka reaguar për marrëveshjen e Ohrit, raporton Gazeta Blic.

Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se Kurti me 27 shkurt në Bruksel e pranoi propozimin evropian, ndërsa dje në Ohër u pajtua edhe për aneksin e zbatimit të kësaj marrëveshje.

Ai ka theksuar se Kurti në më pak se tri javë pranoi gjithçka që kishte premtuar se nuk do të pranonte, përgjatë tërë jetës së tij politike me predikime të rrejshme e mashtrime të panumërta.

Krasniqi ka shtuar se marrëveshja pa njohje, me asociacion e autonomi politike për serbët, është dështim i madh dhe do ta paguajmë të gjithë shtrenjtë.

Postimi i tij i plotë:

Me 27 shkurt, në Bruksel, Kryeministri Kurti e pranoi propozimin evropian. Dje, me 18 mars, ai u dakordua edhe për aneksin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje. Në më pak se tri javë, Albin Kurti pranoi gjithçka që kishte premtuar se nuk do të pranonte, përgjatë tërë jetës së tij politike me predikime të rrejshme e mashtrime të panumërta.

Por, përtej mashtrimeve të tij, brenga ynë mbetet Kosova, qyetarët tanë dhe brezat e ardhshëm, të cilët, fatkeqësisht, përveç që e kanë humbur besimin në perspektivën që ofron Kosova, do ta trashëgojnë për vite me radhe konfliktin e ngrirë me Serbinë. Dhe kjo është pasojë direkte e gabimeve të Albin Kurtit që ka negociuar dhe mundësuar këtë marrëveshje që është e pamjaftueshme për Kosovën dhe që nuk i arrin qëllimet tona shtetërore e qytetare.

Marrëveshja pa njohje reciproke, e përqendruar në një asociacion të avancuar e autonomi politike për komunitetin serb dhe pa garanci për integrimin euro-atlantik të Kosovës është dështim i madh politik e kombëtar, të cilin do ta paguajmë shtrenjtë dhe gjatë, të gjithë.