Lajme

KPK refuzon ankesën e kandidatit për Kryeprokuror të Shtetit, Atdhe Dema

07/10/2026 16:57
nga:Y I

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka refuzuar ankesën e kandidatit për Kryeprokuror të Shtetit, Atdhe Dema, ndaj vlerësimit të marrë gjatë procesit të përzgjedhjes.

Vendimi u mor me pesë vota për refuzimin e ankesës, një votë kundër dhe një abstenim.

Dema kishte paraqitur ankesë në KPK, duke pretenduar shkelje të dispozitave ligjore në aspektin procedural dhe material, si dhe mospërputhje ndërmjet poentimit dhe arsyetimit të dhënë nga Paneli Vlerësues.

Ai kishte kërkuar që ankesa të aprovohej si e bazuar dhe që Paneli Vlerësues të rishqyrtonte vlerësimin e tij, duke argumentuar se vlerësimi për intervistën dhe koncept-dokumentin nuk ishte mbështetur në fakte konkrete dhe arsyetim të mjaftueshëm.

Gjatë shqyrtimit të ankesës, zëvendëskryesuesi i KPK-së, Dardan Vuniqi, ka deklaruar se pretendimet e Demës për mungesë të arsyetimit nuk qëndrojnë.

Gjatë shqyrtimit të ankesës, anëtari i KPK-së, Milot Krasniqi, ka vlerësuar se kandidatit nuk mund t’i kërkohet të dorëzojë prova për të mbështetur ankesën e tij, pasi ai nuk ka pasur mundësi dhe qasje për t’i siguruar ato.

Sipas Krasniqit, KPK-ja duhet ta bëjë vlerësimin e ankesës vetëm mbi bazën e shtyllave dhe kritereve të përcaktuara të vlerësimit.

Ndërsa ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj, gjatë diskutimit ka thënë se për të është me rëndësi të kuptohet se sa mundësi ka pasur Komisioni për të ushtruar kontroll efektiv mbi vlerësimin e vendosur.

Në anën tjetër, zëvendëskryesuesi i KPK-së, Dardan Vuniqi, ka deklaruar se ankesa e Demës nuk specifikon ndonjë shkelje procedurale apo materiale, por vetëm shpreh mospajtim me pikëzimin e marrë.

Sipas Vuniqit, vlerësimi i kandidatit është kompetencë e Panelit Vlerësues, ndërsa fakti që kandidati nuk pajtohet me rezultatin e vlerësimit nuk përbën, sipas tij, bazë për pranimin e ankesës.

Vuniqi ka theksuar gjithashtu se pretendimet për mungesë të arsyetimit të vlerësimit nuk qëndrojnë, duke thënë se pikët e marra nga Dema tregojnë se koncept-dokumenti i tij është vlerësuar me cilësi të lartë dhe se mosdhënia e pikëve maksimale nuk nënkupton mungesë arsyetimi.

Me këtë vendim, ankesa e Atdhe Demës është refuzuar dhe procesi i përzgjedhjes për Kryeprokuror të Shtetit vazhdon sipas procedurave të përcaktuara.

Po ashtu, në këtë takim, Këshilli Prokurorial i Kosovës autorizoi drejtorin e Sekretariatit të KPK-së, Sami Istrefi, për dhënien e komenteve dhe përfaqësimin e KPK-së në Gjykatën Kushtetuese lidhur me rastin për konkursin për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, të cilin e ka dërguar Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj.

Atdhe Dema ankohet në KPK për vlerësimin në garën për Kryeprokuror të Shtetit.

Kandidati për Kryeprokuror të Shtetit, Atdhe Dema, ka paraqitur ankesë në Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK) ndaj vlerësimit të marrë gjatë procesit të përzgjedhjes, duke pretenduar shkelje të dispozitave ligjore në aspektin procedural dhe material, si dhe mospërputhje ndërmjet poentimit dhe arsyetimit të dhënë nga Paneli Vlerësues.

Në anën tjetër, sipas qëndrimit të zëvendëskryesuesit të KPK-së, Dardan Vuniqi, pretendimet e Atdhe Demës për mungesë të arsyetimit të vlerësimit të koncept-dokumentit nuk qëndrojnë.

Vuniqi në mbledhjen e 297 të KPK-së, ka deklaruar se pikët e marra nga kandidati dëshmojnë se Komisioni e ka vlerësuar koncept-dokumentin si dokument me cilësi të lartë dhe se mosdhënia e pikëve maksimale nuk nënkupton mungesë arsyetimi, pasi vlerësimi është bërë në bazë të kritereve të përcaktuara për procesin, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sidoqoftë, në ankesën e tij, Dema ka kërkuar që KPK-ja ta aprovojë ankesën si të bazuar dhe të obligojë Panelin Vlerësues që brenda pesë ditësh të shqyrtojë pjesën e vlerësimit të kundërshtuar.

Ai ka deklaruar se ankesa e tij fokusohet në vlerësimin individual, i cili, sipas tij, nuk është mbështetur në fakte konkrete dhe nuk përmban arsyetim të mjaftueshëm për të justifikuar përfundimet e Panelit.

Dema ka kundërshtuar përdorimin e vlerësimeve si “njohuri të pjesshme” dhe “përsërit veten”, duke thënë se mungojnë të dhënat konkrete për pyetjet, përgjigjet apo mangësitë profesionale që kanë çuar në një vlerësim të tillë.

Sipas tij, gjatë intervistës ka demonstruar njohuri të plota për legjislacionin në fuqi, praktikën gjyqësore dhe kompetencat institucionale që lidhen me funksionin e Kryeprokurorit të Shtetit.

Ai ka kundërshtuar edhe vlerësimin për koncept-dokumentin dhe aftësitë menaxheriale, duke theksuar se dokumenti i tij përmban vizion strategjik, objektiva, prioritete institucionale dhe masa konkrete për përmirësimin e organizimit, efikasitetit, llogaridhënies dhe transparencës në Prokurorinë e Shtetit.

Sipas Demës, Komisioni nuk ka specifikuar se cilat pjesë të koncept-dokumentit janë konsideruar të mangëta dhe cilat aspekte të aftësive menaxheriale janë vlerësuar si të pamjaftueshme.

Ai ka kërkuar që vlerësimi të rishqyrtohet mbi bazën e performancës së tij gjatë intervistës dhe përmbajtjes së koncept-dokumentit, duke kërkuar rivlerësim të pikëve në mënyrë të drejtë, objektive dhe të arsyetuar.

Në anën tjetër, në qëndrimin ndaj këtyre pretendimeve është vlerësuar se ankesa për mungesë të arsyetimit të vlerësimit të koncept-dokumentit nuk qëndron.

Sipas këtij arsyetimi, pikët e marra nga Dema dëshmojnë se Komisioni e ka vlerësuar koncept-dokumentin e tij si dokument me cilësi të lartë dhe ka konstatuar përmbushjen e shumicës dërrmuese të kritereve të përcaktuara.

Sipas vlerësimit të Komisionit, fakti që kandidatit nuk i janë ndarë pikët maksimale nuk nënkupton mungesë arsyetimi, pasi vlerësimi është bërë në bazë të kritereve të përcaktuara për këtë proces.