Lajme

“Kosova s’ka qenë kurrë më keq ndërkombëtarisht, Qeveria në rrugë të gabuar”, reagimet e opozitës pas masave të BE-së ndaj Kosovës

07/02/2023 09:24
nga:Genita C

Bashkimi Evropian ka marrë disa masa ndaj Kosovës për shkak se ka konsideruar se nuk janë ndërmarrë veprime për shtensionim të situatës në veri të Kosovës, hapa të cilët janë kërkuar vazhdimisht nga përfaqësuesit e BE-së, raporton GazetaBlic.

Kjo ngjarje u kritikua nga partitë opozitare, përfshirë këtu kreun e  LDK-së Lumir Abdixhiku, kreun e AAK-së Ramush Haradinaj, nënkryetaren e PDK-së, Vlora Çitaku dhe deputetin e LDK-së, Avdullah Hoti.

Vlora Çitaku ka thënë se një Kosovë e përçarë brenda dhe e sanksionuar nga aleatët është rezultat i qeverisjes së kryeminsitrit Albin Kurti. Sipas saj, vlerat monetare të humbura nga sanksionimi janë pakrahasimisht të volga krahasuar me dëmin që i është bërë kredibilitetit të Kosovës.

Çitaku thotë se e di që Kurtit nuk i bëhet vonë për MSA e as IPA, meqë sipas saj Kurti s’ka votua për ratifikim të MSA në Kuvend.

“Kosova sot: E përçarë nga brenda, dhe e sanksionuar nga aleatët. Ky është rezultati i qeverisjes së Albin Kurtit. Vlerat monetare të humbura nga ky sanksionim janë pakrahasimisht më të vogla se dëmi që i është bërë kredibilitetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare. Unë e di që Kurtit nuk i bëhet vonë as për MSA e as për IPA. Tek e fundit ai dhe VV nuk kanë votuar për ratifikimin e MSA në Kuvend. Por, Kosova nuk i takon një njeriu, shkroi Çitaku.

Lumir Abdixhiku ka shkruar se si mund te jetë fitore për Kosovën, kur janë vendosur gjithë ato masa, ku përfshihen pezullim fondesh, takimesh të nivelit të lartë e pezullim i MSA.

Ai ka thënë se Kosova s’ka qenë kurrë më keq ndërkombtarisht se sot, dhe se Serbia s’ka pasur kurrë më shumë përkrahje se sot.Kreu i LDK thotë se është koha e fundit për një rrugë të re pa Kurtin dhe politikën e tij të izolimit.

“Albin Kurti dhe politika e tij nuk e bën dot Kosovën shtet evropian. Kosova nuk ka qenë kurrë më keq ndërkombëtarisht se sa sot. Serbia nuk ka pasur kurrë më shumë përkrahje se sa tani.Koha e fundit për një rrugë të re pa Kurtin dhe politikën e tij të izolimit”, ka shkruar Abdixhiku.

Ndërsa, ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se Qeveria e Kosovës s’e ka njoftuar as Kuvendin e Kosovës dhe as qytetarët për këtë situatë të re dhe ka thënë se duhet Kuvendi të mblidhet për një seancë të jashtëzakonshme për t’u dakorduar për veprimet. Ai ka pyetur se ku është presidentja e Kosovës dhe pse sipas tij ajo s’po e ushtron funksionin e saj.

Hoti thotë se Kurti dhe Osmani po e çojnë Kosovën në një rrugë tjetër dhe jo në atë të perëndimit.

“Një gjë është e qartë: Kosova nuk mund të udhëhiqet nga një Kryeministër dhe Presidente, të cilët i sjellin vendit sanksione në vend të integrimit euro-atlantik”, ka thënë Hoti.

“Më 28 qershor 2023, BE e paska njoftuar Qeverinë e Kosovës për sanksionet e vendosura: suspendimi i MSA-së, suspendimi i projekteve që financohen nga Korniza Investuese për Ballkanin Perëndimor, pezullimi i fondeve të IPA, pezullimi i takimeve të larta dy palëshe dhe masa të tjera. Qeveria e Kosovës nuk e ka njoftuar as Kuvendin e Kosovës dhe as qytetarët për këtë situatë të re. Kuvendi duhet të mblidhet në seancë të jashtëzakonshme për të diskutuar dhe për tu dakorduar për kursin e veprimeve. Ku është Presidentja e vendit? Pse nuk po e ushtron funksionin e saj? Ky binom po e çojnë Kosovën në një rrugë tjetër, jo në atë të perëndimit. Një gjë është e qartë: Kosova nuk mund të udhëhiqet nga një Kryeministër dhe Presidente, të cilët i sjellin vendit sanksione në vend të integrimit euro-atlantik”, shkroi Hoti.

I pari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se Kosova me kryeministrin, Albin Kurti, “po hyn në një rrugë pa krye”, duke theksuar se mocioni për shkarkimin e Kurtit “sot është interes kombëtar”.

Këto deklarime, Haradinaj, i bëri pasi po raportohet se masat e BE-së ndaj Kosovës kanë hyrë në fuqi.

“I vetëdijshëm se Kosova me këtë kryeministër po hyn në një rrugë pa krye, para pak ditësh kërkova mocion për shkarkimin e Albin Kurtit. Sanksionet e BE-së ndaj Kosovës dhe paralajmërimet e SHBA-së se Qeveria e Kosovës është në rrugë të gabuar, e dëshmojnë se sa e rrezikshme dhe e pashpresë është gjendja, e cila fatkeqësisht do të shkojë duke u përkeqësuar gjithnjë e më shumë”, ka shkruar Haradinaj.

Kujtojmë se, Bashkimi Evropian ka njoftuar se masat ndëshkuese ndaj Kosovës kanë hyrë në fuqi më 28 qershor.

Bashkimi Evropian thanë se tashmë është pezulluar puna e organeve të MSA-së dhe programi i fondeve IPA.

“Kemi pezulluar përkohësisht punën e organeve të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit. Kosova gjithashtu nuk do të ftohet në ngjarje të nivelit të lartë dhe vizitat dypalëshe do të pezullohen, përveç atyre të fokusuara në adresimin e krizës në veri të Kosovës në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Programimi i fondeve për Kosovën në kuadër të ushtrimit programor IPA 2024 është vënë gjithashtu në pritje”.

“Propozimet e paraqitura nga Kosova në kuadër të Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF) nuk janë dorëzuar për shqyrtim në Bordin e WBIF më 29-30 qershor. Komisioni ka njoftuar autoritetet e Kosovës më 28 qershor”, thuhet në përgjigjen e një zëdhënësi të BE-së.

Tutje, ky zëdhënës tha se masat e marra ndaj Kosovës janë të përkohshme në varësi të zhvillimeve në veri, teksa paralajmëroi se BE-ja po e monitoron edhe përmbushjen e kërkesave nga Serbia.

“Këto masa janë të përkohshme dhe plotësisht të kthyeshme në varësi të zhvillimeve në terren dhe vendimeve për deeskalim të marra nga kryeministri Kurti”.

“BE-ja po monitoron gjithashtu nga afër përmbushjen e kërkesave tona nga Serbia dhe është e gatshme të marrë masa në rast të mospërputhjes”, thuhet në përgjigje.

Më tej, ky zëdhënës tha se Bashkimi Evropian “nuk mund të përballojë tensione e dhunë”, teksa sërish bëri thirrje për shtensionim të situatës duke i ndjekur tre hapat e propozuara nga BE-ja. /GazetaBlic/

Masat ndaj Kosovës, eurodeputeti dhe gazetari gjerman kritikojnë BE-në: Kjo është absurde, pse jo Vuçiqin dhe Dodikun

Hoti ndan foton e Muratit me Dejona Mihalin: Duke i marrë udhëzimet për politikat ekonomike pas sanksioneve!

Krasniqi: Kjo qeveri shkatërruese duhet të ndalohet sa nuk është vonë!

Krahasimi interesant i deputetit të VV-së/ Njëjtë sikur Franca që po i përndjek kriminelët edhe Kosova po u ofron siguri qytetarëve në veri!