Lajme

Komshiq: Serbia nuk mund të bëhet ‘shefe’ e Ballkanit

09/14/2021 21:29
nga:Y I

Kryesuesi i Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, Zhelko Komshiq, ka kritikuar kancelaren gjermane Angela Merkel për vendet që zgjodhi të vizitojë në turin e saj në Ballkanin Perëndimor e po ashtu edhe për fjalët e zgjedhura për presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Ai ka thënë se nuk e ka të qartë pse veproi kështu Merkel, teksa shton se mbështetja që i dha Vuçiç-it nuk është pozitive.

“Kancelarja gjermane zgjodhi një format të tillë takimi, nuk e di pse. Ajo shkoi te Vuçiçi për ta mbështetur edhe një herë, gjë që ne mendojmë se është gjë e keqe dhe dërgon sinjale të këqija, por kështu është. Si kompensim për atë takim, u caktua edhe një takim me kryeministrat e tjerë në Tiranë”, tha Komshiq para gazetarëve në Sarajevë.

Ai u shpreh se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të trajtohen njësoj, ndërkohë shton se Serbia nuk mund të bëhet shefe e Ballkanit

“Prej një vendi si Gjermania dhe një personi serioz si Merkeli, ju prisni të jenë të informuar mirë. Nuk kam dyshim se institucioneve në Berlin u mungojnë disa informacione, pyetja e vetme është cili është qëllimi i kësaj politike. Nëse qëllimi është që Serbia të bëhet shefe rajonale, kjo nuk do të funksionojë. I thashë edhe Cristian Schmidtit (Përfaqësues i lartë ndërkombëtar në Bosnjë). Ne mund të jemi të barabartë dhe vetëm mbi atë bazë mund të flasim. Nuk ka më shefa në Ballkan”, tha Komshiq, raporton Ora News.

Kurti pas takimit me Merkel: Procesi i Berlinit i mjaftueshëm, s’ka nevojë për iniciativa të tjera