Testi me shkrim për kandidatët që synojnë të bëhen prokurorë të rinj do të mbahet të dielën, më 29 nëntor.
Duke filluar nga ora 12:00, në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, zhvillohet procesi, ku testi do të hartohet ditën e testimit, në përputhje me procedurat ligjore, në prani të vëzhguesve dhe monitoruesve vendorë e ndërkombëtarë.
Në kuadër të përgatitjeve për organizimin e testimit, Komisioni për rekrutimin e prokurorëve të rinj, i udhëhequr nga kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Arian Gashi, ka mbajtur të premten një takim ku janë diskutuar aspektet organizative dhe mbarëvajtja e procesit.
Komisioni ka theksuar rëndësinë e transparencës, paanshmërisë dhe integritetit, duke bërë të ditur se përgatitjet e deritashme janë zhvilluar sipas planifikimit, raporton Betimi për Drejtësi.

