Lajme

“Jo vetëm opozita, por edhe shoqëria civile po e thotë se Qeveria po i favorizon komunat ku qeverisë VV-ja”

12/12/2023 20:57
nga:G C

Visar Azemi, anëtar i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka thënë se jo vetëm opozita po e thotë se Qeveria po favorizon vetmë komunat ku qeverisë Lëvizja Vetëvendosje, por edhe shoqëria civile po e aludon të njëjtën gjë.

Azemi e ka marrë si referencë analizën e Institutit GAP.

”Nuk po e thotë veç opozita, por edhe shoqëria civile se qeveria e VV-së po i favorizon katër komunat që i udhëheq kjo parti, në lidhje me investimet e reja kapitale nga niveli qendror. Në analizën e Institutit GAP për projektbuxhetin e vitit 2024, shpaloset me shifra se si ky pushtet nga 21.8 milionë euro të destinuara për projekte specifike nëpër komuna, më shumë se gjysma jepen për Gjilanin, Podujevën, Shtimen e Kamenicën”, ka shkruar Azemi në Facebook.

“Rreth 13 milionë euro apo 59.5% e kësaj shume shkojnë për këto katër komuna, derisa ato e përbejnë veç 11.6 të popullsisë së Kosovës dhe janë vetëm 14.5% e territorit të vendit. Në anën tjetër, komunat që i qeverisë LDK, e përbëjnë numrin më të madh të popullsisë, 23.7%, dyfishin e atyre që i udhëheq VV. Këto komuna po ashtu zënë 15.8 të territorit të vendit, prapë më shumë. E, përkundër kësaj, vetëm 17.8% e investimeve në projekte kapitale nga niveli qendror shkojnë në to”.

“Prej 21.8 milionë eurove, kjo qeveri i dërgon 6.3 milionë euro në Gjilan e 2.7 milionë në Shtime, derisa në Ferizaj asnjë cent të vetëm. Pra më shumë investime në Shtime sesa në Ferizaj, në Prishtinë, në Prizren e në Mitrovicë. Nëse i shikon si investime për kokë banori, vitin e ardhshëm për qytetarin e Ferizajt s’jepet asnjë cent, ndërsa për atë të Shtimes 102 euro për kokë banori”.

“Ky është favorizim i pastër për ta ruajtur pushtetin në këto komuna dhe diskriminim ndaj shumicës dërmuese të atyre që nuk e mbështeten mashtrimin e VV-së dhe Albin Kurtit. Ky është tentim për ta blerë votën me buxhetin e shtetit. Kjo është qeveria KREJT prej shtetit e DREJT për veti”, ka deklaruar ai.

Opozita ka deklaruar se Qeveria e Albin Kurtit po diskriminon komunat ku nuk qeverisë e që janë shumica.