Lajme

Jashari: Adresimi në Gjykatën Kushtetuese i ndryshimit të mënyrës së votimit gjatë procedurës, mund të vonoj!

05/27/2025 18:06
nga:Y I

Sot ka dështuar për herë të 22-të të konstituohet Kuvendi i Kosovës.

Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, hodhi për votim formimin e Komisionit për votim të fshehtë por i njëjti si Ndoherë nuk arriti t’i marrë votat e nevojshme.

Në lidhje me krizën institucionale ka folur për “Gazeta Blic” analisti politik njëherësh drejtor ekzekutiv i ‘Demokracia Fillon Këtu’ Shemsi Jashari.

Jashari tha se insistimi i paligjshëm për ndryshimin e mënyrës së votimit bie ndesh me procedurat parlamentare dhe me frymën kushtetuese.

Ai tha se një manovër e tillë politike nga Lëvizja Vetëvendosje po bëhet për të penguar formimin e institucioneve.

“Sot shënohet dështimi i 22-të me radhë për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, si pasojë e një insistimi të paligjshëm për ndryshimin e mënyrës së votimit nga i hapur në të fshehtë.Kjo përpjekje, që bie ndesh me procedurat parlamentare dhe me frymën kushtetuese, përbën një manovër të pastër politike për të penguar formimin e institucioneve nga partia fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje”

“Ky bllokim i qëllimshëm po i shkakton vendit vonesa të pajustifikueshme dhe paralizë institucionale, në një kohë kur qytetarët presin funksionim normal të shtetit dhe zgjidhje për sfidat sociale e ekonomike.Vullneti i qytetarëve nuk mund të mbahet peng i interesave të ngushta politike” tha Jahari për “Gazeta Blic”.

Jashari tha se liderët politik duhet t’i thërrasin arsyes e në veçanti Albin Kurti.

Ai tha se i njëjti duhet të bëjë  marrëveshjet e duhura sipas fuqisë politike dhe të konstituohen institucionet.

“Prandaj kërkohet që sa më shpejt të i thërrasin arsyes liderët politik me theks të veçantë, z.Kurti dhe të bëjnë marrveshjet e duhura sipas fuqisë politike dhe të konstituohen institucionet. Përndryshe pasojat do të jenë të pamatshme” tha Jashari.

Jashari tha se ‘adresimi në Gjykatën Kushtetuese nga një grup deputetësh i ndryshimit të mënyrës së votimit gjatë procedurës, mund ti jap një shtytje krijimit të institucioneve por kjo mund të vonoj’

“Adresimi në Gjykatën Kushtetuese nga një grup deputetësh i ndryshimit të mënyrës së votimit gjatë procedurës, mund ti jap një shtytje krijimit të institucioneve por kjo mund të vonoj.Nga qytetarët kërkohet që të respektohet rendi kushtetues dhe të ndalet sabotimi i institucioneve.Kosova ka nevojë për stabilitet, jo për krizë të prodhuar me qëllim” tha Jashari në intervistën e dhënë për “Gazeta Blic”.

/Gazeta Blic/