Lajme

Ish diplomati: Kurti në SHBA për të thënë se ka raporte të mira me to, por asnjë mekanizëm shtetëror nuk takohet me të

08/22/2024 14:48
nga:G B

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po qëndron për vizitë në SHBA, me ftesë të NDI-së.

Por, ai s’ka pasur ftesë e as takime me zyrtarë të qeverisë amerikane.

Lidhur me këtë, ish kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë, Avni Arifi, thotë për Gazeta Blic se NDI ka ndarë tri ftesa për konventën, për tri partitë në Kosovë PDK, LDK dhe VV.

“NDI që nga çlirimi i Kosovës ka dhënë një ndihmë të jashtëzakonshme Kosovës e posaçërisht ka ndihmuar demokratizimin e partive politike. Duke marrë parasysh se NDI operon në shumë vende të botës në varësi të numrit të banorëve ka marrë nga organizatori i konventës 3 bileta për partnerët e NDI. NDI ju ka ndarë këto tri bileta tri partive politike më të mëdha në vend pra VV, PDK dhe LDK”, thotë ai.

Sipas Arifit, derisa PDK dhe LDK kanë dërguar persona që kanë bashkëpunuar me NDI, Kurti ka vendosur të shkojë vet që t’i thotë popullit të Kosovës se marrëdhëniet e tij me Amerikën janë të mira, gjë që nuk është e vërtetë.

“Përderisa PDK dhe LDK kanë dërguar persona që kohë të gjatë kanë bashkëpunuar me NDI tek VV Albini ka vendosë që vet të shkojë dhe ta shfrytëzojë këtë biletë për t’i treguar popullit të Kosovës se raportet e tij me SHBA janë shumë të mira gjë që është larg nga e vërteta Qeveria e SHBA nuk e ka ftuar Kryeministrin e Kosovës dhe çka është më keq asnjë zyrtar as nga Presidenca, Departamenti i Shtetit, Pentagoni apo ndonjë mekanizëm shtetëror nuk pranon që të takohet me të. Kjo është e rrallë në historinë e Kosovës dhe për secilin që merr vesh në këto tema është indikator i raporteve “për tokë” me SHBA si aleati më i madh dhe më i fuqishëm në histori të Kosovës”, shprehet ai për Gazeta Blic.

Po ashtu, Arifi thekson dhe mospajtimet mes Kurtit e Osmanit, teksa thotë se Presidentja e ka obligim që të dalë para popullit e të tregojë nivelin e raporteve mes Kosovës, SHBA-ve dhe aleatëve tjerë.

“E qartë që ka mospajtime në mes të Presidencës dhe Kryeministrisë për disa tema të pozicioneve politike qeveritare. Në fakt ka një kohë që bashkëpunimi i tyre shihet vetëm kur janë në pyetje interesat e ngushta si p.sh emërimi i zv. Ministrave në poste diplomatike dhe në ndarje të posteve. Megjithatë, e ka për obligim Presidentja që para qytetarëve të dalë dhe të tregojë për nivelin e raporteve në mes të Kosovës, SHBA dhe aleatëve të tjerë”, deklaron Avni Arifi./Gazeta Blic/