Lajme

Ish-deputetja e LDK-së: Presidentja ka patur obligim kushtetues qe të marr vendim për shkuarjen në zgjedhje!

03/07/2026 14:06
nga:Y I

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka nxjerr dje dekret për shpërndarjen e Kuvendit.

Ky vendim erdhi pasi Kuvendi dështoi brenda afatit kushtetues të zgjedh Presidentin e ri.

Në lidhje me këtë çështje dhe vendimin e marrë nga Osmani ka folur për “Gazeta Blic” ish-deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besa Gaxherri.

Gaxherri tha se bazuar në Kushtetutën e Kosovës Presidentja ka patur obligim kushtetues që të marrë vendim për të shkuar në zgjedhje.

“Bazuar në kushtetutën e Republikës së Kosovës, presidentja ka pasur obligim kushtetues qe të mari vendim për shkuarjen në zgjedhje” tha shkurt Gaxherri për “Gazeta Blic”.

Pas vendimit për shpërndarjen e Kuvendit, Presidentja Osmani dje thirri në takim subjektet politike për të diskutuar rreth datës së zgjedhjeve.

Në këtë takim morën pjesë të gjitha subjektet politike më përjashtim të Lëvizjes Vetëvendosje.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, deklaroi pas takimit se janë të gatshëm të shkojnë në zgjedhje kurdo që Presidentja e vlerëson.

“Patëm diskutime zyrtare për datën e zgjedhjeve. Kurdo që Presidentja e vlerëson, në afatin kushtetues të rregullt brenda parashikimeve kushtetuese”, tha Abdixhiku.

Edhe kreu i PDK-së, Bedri Hamza, tha se edhe për ta është në rregull kurdo që i cakton Osmani, ndërsa kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, përmendi tri data si të mundshme që u diskutuan brenda takimit: 5, 12 ose 19 prilli.

/Gazeta Blic/

Abdixhiku: Mbështes dekretin e Osmanit për shpërndarjen e Kuvendit!