Lajme

Imer Mushkolaj: Kthimi i besimit për PDK-në është shumë i vështirë, por jo i pamundur!

06/22/2021 14:46
nga:M K

Ka filluar tashmë të diskutohet në opionionin politik kosovar zgjedhja e kryetarit të ri të PDK-së, e që pritet të ndodhë me datën 3 të muajit të ardhshëm.

Deri tash, kandidaturën zyrtare e ka konfirmuar vetëm ushtruesi aktual i detyrës, Enver Hoxhaj, ndërsa ende nuk dihet nëse do të ketë një të tillë, pra kundërkandidat të Hoxhajt, ani pse Vlora Çitaku e Memli Krasniqi po lakohen si emra potencialë, përcjell GazetaBlic.

Xhavit Haliti tregon se kush është kandidati i vetëm zyrtar deri më tani për kryetar të PDK-së

Lidhur me këtë, GazetaBlic ka kontaktuar me analistin e çështjeve politike, Imer Mushkolaj. Sipas Mushkolajt, është e rëndësishme që në krye të PDK-së të vije dikush që nuk identifikohet me aferat korruptive.

“Se kush do ta marrë drejtimin e partisë varet nga pjesëmarrësit në konventë. Por, e rëndësishme është që në krye të partisë të vijë dikush që nuk identifikohet me aferat korruptive të partisë sa ka qenë në qeverisje. Është e nevojshme që PDK të bëjë një prerje, në kuptimin e menaxhimit të partisë, tash kur lideri dhe ish-lideri i partisë nuk gjenden në Kosovë”, tha fillimisht ai.

Ndërkaq, sa i përket asaj se kush duhet ta merr drejtimin e partisë, Mushkolaj tha se nuk e di se kush mund ta marrë drejtimin, por sipas tij e rëndësishme është që brenda dhjetë ditëve të ardhshme, kandidatët duhet të prezantojnë platformat e tyre.

“Në krye të partisë duhet të vijë një person që në njërën anë do të mund t’i siguronte PDK-së një “fytyrë” të re dhe në anën tjetër të mund të mbante lidhjen me elektoratin besnik të partisë. Nuk e di se kush mund të marrë drejtimin e partsië, por e rëndësishme është që gjatë dhjetë ditëve të ardhshme, kandidatët për kryetar të prezantojnë publikisht platformat e tyre, në mënyrë që elektorati i PDK-së dhe jo vetëm ta ketë të qartë se për çfarë ndryshimesh programore dhe strukturore angazhohen ata”, vazhdoi Mushkolaj.

Musliu-Shoshi: PDK më e fortë pas 3 Korrikut, votoj për kandidatin që na përfaqëson më së miri si parti

Kurse, lidhur me kthimin e besimit te kjo parti, për PDK-në, githnjë sipas Mushkolajt do të jetë shumë e vështirë, por jo e pamundur.

“PDK është ndërtuar bazuar në kultin e Hashim Thaçit dhe shumica e njerëzve që tash janë të rëndësishëm në parti, e kanë arritur këtë falë Thaçit. Andaj, tash është koha që ata të tregojnë se munden “të ecin vetë” dhe që synojnë reformimin serioz të partisë, respektivisht forcimin e PDK-së pa damkën e një partie që identifikohet me korrupsionin dhe keqqeverisjen. Kthimi i besimit është i vështirë, por jo i pamundur”, përfundoi ai për GazetaBlic.

/GazetaBlic/