Lajme

Humolli: Gjykata Kushtetuese po mer vendime sqaruese për arsye se politika nuk po i lexon njejtë ligjet e Kosoves!

03/27/2026 11:40
nga:Y I

Gjykata Kushtetuese ka dalë me vendim në lidhje me kërkesën e Lëvizjes Vetëvendosje ndaj dekretit të Presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit.

Në aktgjykim thuhet se Kuvendit i jepen edhe 34 ditë afat shtesë për zgjedhjen e Presidentit.

Në lidhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe se a do të zgjedhet brenda këtij afati kohor, Presidenti i ri, ka folur për “Gazeta Blic” ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmir Humolli.

Humolli tha se mundësitë kanë qenë që vendi të ketë President edhe pa u aktivizu Gjykata Kushtetuese.

Por tani, sipas tij, me këtë klasë politike është vështirë të parashikohet.

“Mundesitë kanë qenë me pas President para se me u aktivizu Gjykata Kushtetuese. Tani kemi të bejmë me të njëjtën klas politike, është veshtirë me parashiku, nëse kanë mision për egot personale do vazhdohet” deklaroi Humolli.

Humolli tha se Kushtetuta është bërë prej njerëzve që janë ende gjallë dhe se klasa politike nuk i pyet miqësisht për me i drejtu proceset pa e dëmtu Kosovën.

“Gjykata Kushtetuese po mer vendime sqaruese për arsye se politika nuk po i lexon njejtë ligjet e Kosoves, po jep hapsirë për zgjidhjen e problemeve që po i shkakton klasa politike. Kushtetuta është bërë prej njerëzve që janë ende gjallë kurse klasa jonë politike nuk i pyet miqësisht për me i drejtu proceset pa e dëmtu Kosovën” deklaroi Humolli në përgjigjen e dhënë për “Gazeta Blic”.

Në njoftimin e Kushtetueses thuhet se, Gjykata Kushtetuese, në pajtim me paragrafin 2 të nenit 113 të Kushtetutës, nenin 29 të Ligjit, dhe rregullat 48 (1) (a) dhe 65 të Rregullores së punës, më 25 mars 2026, njëzëri vendos të deklarojë kërkesën e LVV-së të pranueshme.

“TË KONSTATOJË që Dekreti [nr.24/2026] i 6 marsit 2026 i Presidentes së Republikës së Kosovës nuk prodhon asnjë efekt juridik; TË KONSTATOJË që deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës nga dita e hyrjes në fuqi të këtij Aktgjykimi kanë tridhjetë e katër (34) ditë për të zhvilluar dhe përfunduar procedurën e zgjedhjes së Presidentit të Republikës së Kosovës; TË KONSTATOJË që në rast se Kuvendi dështon të zgjedhë Presidentin brenda periudhës së përcaktuar në pikën III të dispozitivit të këtij Aktgjykimi, bazuar në nënparagrafin 3 të paragrafit 1 të nenit 82 [Shpërndarja e Kuvendit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Kuvendi shpërndahet ex constitutione, dhe për pasojë, zgjedhjet e parakohshme për Kuvend duhet të zhvillohen brenda dyzet e pesë (45) ditësh, ashtu siç përcaktohet me paragrafin 2 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] dhe paragrafin 6 të nenit 86 [Zgjedhja e Presidentit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës; TË KONSTATOJË që Vendimi i Gjykatës për vendosjen e masës së përkohshme, i 9 marsit 2026 shfuqizohet me hyrjen në fuqi të këtij Aktgjykimi”. thuhet në njoftimin e GJK-së.

/Gazeta Blic/