Lajme

Hovenier: Marrëveshja është e mundur në mandatin e Kurtit dhe Vuçiqit

05/18/2022 22:40
nga:Arsim Buxhovi

Dialogu në Bruksel është mënyra më e mirë për të realizuar vizionin që ndajmë, ta shohim Kosovën të zërë vendin e saj në strukturat evropiane dhe euroatlantike.

Qeveria e Kosovës ka të drejtën sovrane të vendosë për aplikimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës, dhe Shtetet e Bashkuara mbështesin integrimin e Kosovës, përfshirë në Këshillin e Evropës, tha në një intervistë për Kossev ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier.

që nga marrja e detyrës, ambasadori amerikan në Kosovë këtë javë bëri vizitën e tij të parë në Mitrovicën e Veriut.

Ai ka drekuar me kryetarët e Listës Serbe, të cilët ia kanë përcjellë “shqetësimet e tyre”, si dhe u ka përcjellë përkushtimin e SHBA-së për disa parime, ndër to “që Kosova të jetë sovrane dhe e pavarur”.

Qëndrimi i Shteteve të Bashkuara është se në Bruksel duhet të arrihet një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve, e cila ka për qëllim njohjen reciproke, tha Hovenier.

Ambasadori nënvizoi se vendi i tij e mbështet fuqishëm këtë proces dhe do të punojë me partnerët e tij për ta përmirësuar atë.

Edhe pse thotë se gjithçka varet nga kryeministri i Kosovës dhe presidenti i Serbisë, Hovenier beson se një marrëveshje e tillë mund të arrihet gjatë mandateve aktuale të Kurtit dhe Vuçiqit.

“Ka çështje të vështira që kanë kosto politike. Të dyja palët do të duhet të angazhohen në mënyrë aktive dhe kreative dhe me një urgjencë të caktuar për ta arritur këtë”, përfundoi ambasadori.

Hovenier foli edhe për situatën në veri të Kosovës, duke thënë se shumëçka ka ndryshuar që nga vizita e fundit në Mitrovicë në vitin 2007, kur ka punuar në ekipin e Martti Ahtisaarit.

Ai komentoi sulmet e fundit në Policinë e Kosovës në veri të Kosovës, duke thënë se PK-ja e kishte siguruar atë se po e “marrë këtë çështje shumë seriozisht”, por se është e rëndësishme që të trajtohet në një mënyrë që të respektohen të drejtat dhe shqetësimet e të gjithë shtetasve.