Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se koordinimi dhe marrëveshjet me Shtëpinë e Bardhë asnjëherë nuk janë të dëmshme për Kosovën, raporton Gazeta Blic.
Përmes një postimi në Facebook, ai ka përmendur marrëveshjen në shtator në SHBA dhe thotë se opozita në atë kohë dhe presidentja kishte nxjerr vrer në Kuvend, ndërsa tani ajo i shtyn zgjedhjet në veri pa asnjë bazë kushtetuese por e bëri me kërkesë të SHBA-ve.
Ai ka thënë se ata janë vetëm hipokritë e mashtrues, që shkelin çdo gjë për pozitat e tyre.
Postimi i tij i plotë:
Koordinimi dhe marrëveshjet me Shtëpinë e Bardhë asnjëherë nuk janë të dëmshme për Kosovën
Më 4 shtator 2020 në Shtëpinë e Bardhë, pas pranimit të njohjes nga Izraeli, pata pranuar kërkesën e SHBA-së që të shtyhet aplikimi për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.
U patën mobilizuar opozita e atëhershme me akuza për tradhti. Në dhjetor 2021, në fjalën e saj në Kuvendin e Kosovës, Presidentja si zakonisht nxori vrer dhe urrejtje patologjike për këtë veprim timin.
Në të vërtetë, ajo çfarë kisha bërë unë në Shtëpinë e Bardhë ishte dakordimi me aleatin kryesor të Kosovës për kohën e përshtatshme për aplikim. Vetëm mendje të sëmura politike mund të cilësonin akt tradhtie një marrëveshje për Kosovën me SHBA-në të arritur në Shtëpinë e Bardhë.
Tani Presidentja i shtyn zgjedhjet në komunat në veri pa asnjë bazë kushtetuese. Këtë ajo e bëri me kërkesë të ShBA-së pas situatës së krijuar në komunat në veri dhe në koordinim me shefin e saj në Qeveri.
Unë e kuptoj se nuk ka pasur zgjidhje tjetër, por krahasoni vetë këto dy situata:
– Më 4 shtator 2020, ne bëmë veprim strategjik në koordinim me SHBA-në.
– Ndërkaq, tani SHBA-ja i nxori këta dy anarkistë nga bataku ku kishin rënë, të cilin e kishte përgatitur Serbia me strukturat kriminale në veri.
Këta janë vetëm hipokritë e mashtrues, që shkelin çdo gjë për pozitat e tyre.


