Avokati Arianit Koci ka reaguar pas heqjes së flamurit të Ukrainës në Prishtinë, ku shkruhet “Free Ukraine”, që vjen pas deklaratës së presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, se Ukraina vazhdon të mos e njohë Kosovën, raporton Gazeta Blic.
Përmes një postimi në Facebook, Koci e ka quajtur amatorizëm këtë veprim, teksa ka thënë se kjo nuk është çështje komunale, por mesazh politik për të cilin duhet koordinim me qeverinë.
“Në anën tjetër, Kosova ka interes që Ukraina ta njohë. Prandaj, duhet me punu që Ukraina ta ndryshojë qëndrimin ndaj nesh, jo me ia heqë flamurin kur presidenti i saj thotë diçka që nuk na pëlqen”, ka shkruar ai në Facebook.
Postimi i tij i plotë:
Kjo është amatorizëm.
Dje, në Beograd, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, deklaroi se Ukraina vazhdon të mos e njohë Kosovën.
Sot, menjëherë, e diel, kryetari i Komunës së Prishtinës reagoi duke e heqë flamurin e Ukrainës nga Grandi.
Edhe unë jam i pakënaqur me deklaratën e Zelenskyt.
Shumë bile.
Ukraina është duke luftuar për sovranitetin dhe integritetin e vet territorial, prandaj është krejt e natyrshme me pritë prej saj më shumë mirëkuptim për Kosovën.
Por pakënaqësia është një gjë. Politika e jashtme është tjetër.
Heqja e flamurit të një shteti, si reagim ndaj deklaratës së presidentit të atij shteti, nuk është çështje komunale, por mesazh politik për të cilin duhet koordinim me qeverinë.
Në anën tjetër, Kosova ka interes që Ukraina ta njohë.
Prandaj, duhet me punu që Ukraina ta ndryshojë qëndrimin ndaj nesh, jo me ia heqë flamurin kur presidenti i saj thotë diçka që nuk na pëlqen.
Fundja, nëse shkojmë me këtë logjikë, pse e kemi vendosë flamurin e Ukrainës aty para disa vitesh?
Ukraina as atëherë nuk na ka njohur.


