Lajme

Haliti kritikon Kurtin: Qëndrimet kundërshtuese ndaj SHBA-së çojnë ujë në mullirin e Serbisë

05/08/2024 16:13
nga:Sh R

Deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, njëherit anëtar i Komisionit për Punë të Jashtme, e ka vlerësuar të rrezikshme deklaratën e kryeministrit Albin Kurti se Qeveria nuk e pranon kushtëzimin e anëtarësimit në KiE me Asociacion, kërkesë kjo e bashkësisë ndërkombëtare para anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Haliti, konsideron se Kosova duhet të ecë nga “rrjedhja e ujit” dhe jo diku tjetër dhe se qëndrimet kundërshtuese ndaj SHBA-së dhe partnerëve të tjerë, sipas tij, janë veprime që dërgojnë ujë në mullirin e Serbisë.

”Mendoj se ne duhet të ecim nga rrjedhja e ujit dhe jo dike tjetër, andaj qëndrimet kundërshtuese ndaj SHBA-së, për mua janë ujë në mullirin e Serbisë dhe janë të rrezikshme dhe janë të dyshimta. Kështu ai (Albin Kurti) mundet të mendoj në kokën e vetë’’ ka deklaruar ai në një intervistë për FrontOnline.

Ai gjithashtu ka thënë se për të fituar përkrahjen e ndërkombëtareve kanë bërë shumë mund dhe sakrificë dhe tash “po del një kryeministër në kundërshtim të të gjitha opsioneve ndërkombëtare”.

“Ne që kemi qenë në proces dhe i kemi bërë argat këtij vendi dhe me mund kemi arritur të fitojmë mbështetjen ndërkombëtare dhe ta fusim bashkësinë ndërkombëtare në mbështjetjen tonë, ti bindim ata dhe tash një kryeministër del në kundërshtim në të gjitha opsionet e mundshme që i jep perëndimi, kjo shkon në apetitet e tij personal”, ka theksuar Haliti.

Deputeti Haliti ka shtuar se ky është gabim shumë i rëndë për Kosovën dhe po i jep hapësirë Serbisë kundër Kosovës.

“Ky do të ishte një gabim tepër i rëndë, në të cilin po e futë Kosovën dhe po i gjen rrugë dhe hapësirë Serbisë kundër Kosovës dhe planet të cilat po ashtu i ka edhe Rusia për me e destabilizu Ballkanin”, ka thënë ai.

Gjithashtu, ai ka theksuar se Këshilli i Ministrave vendos nëse do ta përfshijë apo jo Kosovën në Këshillin e Evropës, andaj “detyrat e Qeverisë dhe detyrat e Albinit janë të përmbushë të gjitha kushtet që i janë dhënë nga Këshilli i Evropës dhe Bashkimi Evropian”.