Gramoz Vokrri, djali i legjendës së futbollit, Fadil Vokrri thotë se bisedimet me disa shtete për pranimin e Kosovës ishin më të lehta, pasi Federatat e tyre udhëhiqeshin nga ish futbollistë.
Vokrri, djali i madh i Fadil Vokrri ka treguar se si kishin dyshime fillimisht në lidhje me pranimin në UEFA, pasi Serbia ishte duke lobuar egër kundër Kosovës, shkruan GazetaBlic.
“Tre apo katër ditë para kongresit të suksseshëm ishim në takim me zyrtarët e UEFA’s, isha edhe unë. Ai takim ka ngjallë dyshime edhe nga ana jonë, sepse në fund të fundit është një votim dhe gjithçka mund të ndodhë. Përkundër premtieve, lobimit, e shumë gjërave, prap vota mbetet fshehtësi”, tha fillimisht Gramoz Vokrri për “BlicInterview”.
Izraeli dhe Rumania, ishin dy shtetet që nuk kishin fillimisht qëndrim për këtë çështje, por biseda me ta ishte më e lehtë, pasi ishin ish futbollistë, përkundër faktit që këto shtete nuk e kishin njohur Pavarësinë e Kosovës.
“Fillimisht është e vërtetë që një pjesë e shteteve ka qenë neutrale, është një komunitet i jashtëzakonshëm i shqiptarëve në Zvicër dhe në Gjermani, që kanë lobuar vazhdimisht. Shtetet neutrale zakonisht kanë qenë të udhëhequr nga ish futbollistë, muhabetet dhe gjuha kanë qenë më e lehtë, sepse janë njerëz të sportit. Më saktësisht, shteti i Izraelit dhe i Rumanisë, që s’e kishin njohur Kosovën, por udhëhiqeshin nga ish futbollistë. Ata nuk ishin shumë në njgarje, pse vija politike ishte kundër, kurse vlerat e futbollit janë krejtësisht tjera. Kjo, po mendoj që ka ndikuar pozitivisht, pasi gjuha e futbollit i thyen barrierat, nuk ka më aspekte racore ose politike”, përfundoi Gramoz Vokrri.
/GazetaBlic Sport


