Kryetarja e Komisionit për Mbikëqyrje të AKI-së, Ganimete Musliu, ka thënë se me shqetësim e kanë përcjellë ngjarjen në Veri, ku nga sulmi i grupit terrorist serb mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.
Ajo u shpreh se AKI-ja dhe Policia e Kosovës kanë qenë në krye të detyrës atë ditë, ku e kanë parandaluar sulmin terrorist.
Musliu në një intervistë për Gazeta Blic tha se me interesim të madh në çdo detaj janë munduar t’i shohin lëvizjet që kanë ndodhur atje dhe janë lutur që të ketë sa më pak pasoja.
“Në rend të parë si qytetare e Republikës së Kosovës, por pastaj edhe si deputete edhe si kryetare e Komisionit parlamentar për Mbikëqyrje e AKI-së, të gjithë ngjarjen e kemi përcjellë me shqetësim, me interesim të madh në çdo detaj jemi munduar që të shohim lëvizjet të cilat kanë ndodhur në atë vend dhe jemi lutur gjatë gjithë kohës që të kemi sa më pak pasoja. Fatmirësisht, AKI-ja dhe policia e Kosovës kanë qenë në krye të detyrës atë ditë dhe e kanë parandaluar që kjo tragjedi që ndodhi të dielën mos t’i tejkalojë përmasat e asaj se çfarë ka ndodhur”, deklaroi ajo.
Ajo tregoi se nuk e kanë thirrur ende drejtorin e AKI-së për të raportuar dhe se grupet terroriste janë duke u përgatitur për ta destabilizuar vendin, ku AKI ka qenë e njoftuar me kohë dhe ka qenë e përgatitur.
“Sa i përket rastit konkret në fjalë që ka ndodhur të dielën, ne ende nuk e kemi thirrur në raport drejtorin e AKI-së, por se grupet terroriste janë duke u përgatitur për ta destabilizuar Kosovën ose për ta sulmuar territorin e Kosovës, ne kemi qenë të njoftuar me kohë dhe për arsye se një vendim për këtë çështje duhet të merret me ekspertizë në detaje se si ka ndodhur dhe shtoj se kemi qenë të përgatitur”, theksoi ajo.
Musliu tregoi arsyen se pse nuk e kanë thirrur ende në raportim drejtorin e AKI-së, ku tha se duhet të merren vendime me ekspertizë deri në detaje.
“Arsyeja pse deri sot nuk e kemi thirrur drejtorin e AKI-së është sepse nuk parapëlqej të marr vendime me eufori e me entuziazëm, por thjesht kur të vjen drejtori dëshiroj qetësi me gjakftohtësi, me ekspertizë të na tregojë në detaje sesi ka ndodhur dhe cila është gjendja aktuale e sigurisë në vend. Unë po besoj shumë që shumë shpejt do ta ftojmë drejtorin që të na raportojë për këtë çështje, se a do të ketë apo nuk do të ketë sulme të tjera nuk mund të them sot”, vlerësoi deputetja e PDK-së për Gazeta Blic.
Musliu nuk dha një përgjigje se si është futur armatimi sepse tha se nuk është në kompetencën e saj të shpërndajë informata të pazyrtarizuara, ku dhe shtoi se armatimi ushtarak i cili është futur në Veri, tregon se diçka nuk ka funksionuar në zinxhirin e sigurisë.
“Se si është futur gjithë ky armatim nuk mund të them sot, sepse nuk është në kompetencën time të shpërndaj më shumë informata të pazyrtarizuara, pavarësisht informatave që unë i posedoj, dhe vetë fakti që ne, thashë edhe njëherë kemi parë gjithë atë armatim deri në autoblindë, që do të thotë mjete të rënda ushtarake, kjo tregon që diçka nuk ka funksionuar në zinxhirin e sigurisë dhe ne duhet me kujdes ta trajtojmë këtë çështje”, tha ajo.
Sipas Musliut, duhet të dëgjohen të gjitha palët pastaj të dalin me një analizë rreth kësaj çështjeje, pasi që kufirin me Serbinë dhe Veriun e Mitrovicës e menaxhojnë KFORI.
“Ju e dini shumë mirë që kufirin në Serbi me Veri e menaxhojnë KFORI e ka kompetencë, prandaj unë mendoj se duhet t’i dëgjojmë të gjitha palët dhe të dalim me një analizë të saktë, por mbi të gjitha të dalim me një strategji që të mos na përsëriten raste të tilla më. Ne ka më shumë se dy vjet që në çdo paraqitje të kryeministrit e kemi dëgjuar që është forcuar sovraniteti, është shtrirë sovraniteti në çdo ‘pëllëmbë’ të Kosovës, e në anën tjetër e sheh që është futur gjithë ai arsenal dhe ka ardhur në mes të Kosovës, domethënë këto janë pikëpyetje të mëdha që duhet të kenë përgjigje, nëse përgjigje publike, përgjigje institucionale duhet të kenë gjithsesi”, përfundoi Musliu për Gazeta Blic.