Lajme

Gërvalla takohet me Hovenier- Flasin për ndalimin e qytetarëve dhe policëve nga Serbia dhe procesin në KiE

04/18/2024 19:44
nga:Y I

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka zhvilluar takimin e rregullt me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, me të cilin kanë diskutuar rreth situatës së fundit, duke e njoftuar atë për së afërmi rreth ndalimit arbitrar të qytetarëve dhe zyrtarëve policorë të Kosovës në pikat kufitare në Serbi.

Sipas komunikatës të MPJD-së, në fokus ishte edhe vota masive e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë ndër më të rëndësishmet ndërkombëtare, të marrë më 16 prill si dhe rruga e mëtejme drejt anëtarësimit të plotë.

Gërvalla vlerësoi rolin e Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të Hovenierit në proceset e rëndësishme, drejt forcimit të mëtejmë të subjektivitetit ndërkombëtar dhe në proceset integruese euroatlantike të Kosovës.

“Ministrja Gërvalla dhe Ambasadori Hovenier diskutuan edhe rreth temave të tjera aktuale në vend, duke vënë theksin në përkushtimin e institucioneve në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në vend dhe rajon dhe forcimin e demokracisë dhe të sundimit të ligjit në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.