Sporti

Gazetari nga Irlanda e Veriut, Mark Strange: E njoh Ballkanin – ekipi i Larne duhet të ketë kujdes nga Albion Rrahmani

07/23/2023 21:23
nga:Lorik J

Gazetari dhe komentatori i sportit në Irlandën e Veriut, Mark Strange thotë se skuadra e Ballkanit do jetë një test i vështirë për ekipin Larne në raundin e dytë të kualifikueseve të Conference League.

Ballkani e mirëpret ekipin e Larne FC të martën me 25 korrik në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ me fillim nga ora 20:45, në ndeshjen e parë mes ekipeve.

Strange thotë se në Irlandën e Veriut nuk e njohin shumë Ballkanin, por e dinë që do jetë test mjaft i vështirë për ekipin e vendit të tyre.

“Sinqerisht, Ballkani është paksa i panjohur në vendin tonë. Megjithatë, të gjithë e dimë se do të jetë një test shumë i vështirë për ekipin tonë. Larne u përball mjaft mirë me HJK-në, teksa Ballkani pati një ndeshje të parë të shkëlqyer kundër Ludogorets, kështu që do të jetë një betejë shumë e mirë”, tha fillimisht Mark Strange për ‘GazetaBlic Sport’.

Gazetari sportiv thotë se e njeh skuadrën e Ballkanit, pasi e pa ecurinë e tyre pozitive në vitin e kaluar në grupet e Conference League, teksa veçon sulmuesin Albion Rrahmani, për të cilin thotë se mbrojtja e ekipit nga Irlanda e Veriut duhet të ketë kujdes.

“Ballkanin e njoh nga ecuria e tyre fantastike në Conference Leaguen e vitit të kaluar dhe se si ishin kundërshtarë jashtëzakonisht të vështirë në një grup të vështirë. Rezultati i tyre kundër Sivasspor dërgoi valë tronditëse në mbarë Evropën. Ata kanë disa lojtarë sulmues kërcënues dhe mbrojtja e Larne do të duhet të ndjekë me vëmendje Albion Rrahmanin, i cili është një kërcënim real për golin”, vazhdoi Strange.

Në fund, ai foli edhe për atmosferën e ekipit të Larne, ku tha se është e mirë, pavarësisht humbjes nga HJK.

“Ashtu si për Ballkanin, Evropa është një fenomen relativisht i ri për Larne dhe i gjithë klubi, duke përfshirë tifozët, po e duan dhe shijojnë udhëtimin. Rezultati kundër HJK-së ishte zemërthyes dhe i vështirë për t’u marrë, por disponimi i përgjithshëm rreth klubit është i mirë për një sfidë tjetër. Megjithatë, të gjithë e dinë se Ballkani do të jetë një tjetër provë e vështirë”, përfundoi ai.

Kujtojmë se dy skuadrat, si Ballkani ashtu edhe Larne u elimunuan nga kualifikueset e Champions League. Kampionët e Kosovës u eliminuan nga Ludogorets (4:2), teksa Larne FC u mposht nga HJK me rezultatin e përgjithshëm 3:2. Si Ballkani, ashtu edhe Larne tani synojnë kalimin tutje në Conference League.

/GazetaBlic Sport