Lajme

Fëmija me top, polici gishtin te këmbëza”, mediat në Serbi nisin propagandën me fotografi nga situata në veri

09/29/2023 12:46
nga:N K

Mediat e varura nga Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç kanë nisur propagandën në lidhje me sulmin terrorist që ndodhi nga grupi i mbështetur nga pushteti në Serbi.

Pas sulmeve të 26 shtatorit në fshatin Banjskë të Zveçanit ka ende prezencë të shtuar të Policisë së Kosovës që po ruajnë sigurinë për të gjithë banorët e fshatit me shumicë serbe.

Kjo prezencë e policëve të Kosovës po shfrytëzohet për propagandë në mediat në Serbi kinse banorët e kësaj zone po jetojnë “nën regjimin” e Policisë së Kosovës.

Mediat e Kosovës qëndruan në Banjskë për t’i ofruar publikut gjurmët që la grupi terrorist pasi u arratis drejt Serbisë.

Mes fotografive që bën bujë ishin edhe ato të disa policëve kosovarë që luanin me disa fëmijë të nacionalitetit serb teksa po mbronin sigurinë. Por ndryshe tentuan ta paraqesin realitetin në Serbi.

Këtë e ka vu në dukje Dren Gërguri, ligjërues në Universitetin e Prishtinës në degën e gazetarisë.

 

“Dezinformatat vijnë nga mediat serbe. “Alo” duke inkuadruar propagandën përmes foto-gazetarisë: “Djali me topin, polici me gishtin në këmbëza” – ndërsa realiteti është krejtësisht ndryshe – Polici i Kosovës duke luajtur dhe miqësor me fëmijët”, ka shkruar ai.

Serbia shpalli një ditë zie për tre terroristët që u ekzekutuan nga Policia e Kosovës, pasi e sulmuan atë. Nga ky sulm terrorist mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku. Me këtë vendim Serbia u komentua se ka marrë përgjegjësinë e sulmit.

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, sot tha për Radion Evropa e Lirë se policia ka rritur tashmë praninë e saj në veri.

“E kemi shtuar prezencën dhe vigjilencën përreth brezit kufitar. Po ashtu, kemi shtuar prezencën e njësisë speciale të policisë së Kosovës në veriun e Kosovës. I kemi reduktuar paksa patrullimet e policëve të zakonshëm, për shkak se nuk kanë nivel të tillë të mbrojtjes për t’u përballur me ndonjë sulm të mundshëm”, tha Hoxha.

Ai nuk ofroi detaje se për sa janë forcuar kapacitetet e njësisë speciale, por tha se institucioni që ai drejton, është vazhdimisht në koordinim me misionin paqeruajtës të NATO-s, KFOR, dhe me atë të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit në Kosovë, EULEX. /TheGeopost