Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmir Humolli, ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit rreth diskutimeve për postin e Presidentit, pas deklaratës së Murat Jasharit se nuk e synon këtë pozitë, raporton GazetaBlic.
Humolli në një prononcim për GazetaBlic, thotë se është krijuar bindja që luftëtarët dhe familjet e ndershme duhet të largohen nga politika, duke ua lënë hapësirën atyre që, sipas tij, nuk e respektojnë luftën dhe luftëtarët.
“Është kriju bindja se luftëtarët dhe familjet e ndershme të largohen nga politika. E tu lihet në dorë politika atyre që nuk e rrespektojn luftën nuk e rrespektojn luftarin. Familja Jashari si familje luftëtarësh është tërheq nga politika. Shteti është institucion politik nëse largohen luftëtarët që kanë luftu për shtetin për lirin e ju lihet në dorë atyre që nuk e kuptojn se çka është liria e çka është shteti atëher rrezikohet shteti, rrezikohet liria”, theksoi ai.
Ai ka vlerësuar se Murat Jashari, përveçse vjen nga një familje me kontribut të madh në luftë, është edhe i përgatitur për postin e Presidentit, por sipas tij, ai nuk e ka pranuar lojën e partive politike.
Tutje ai ka shtuar se partitë politike është dashur të bien dakord mes vete dhe, së bashku, t’i drejtohen familjes Jashari për të kërkuar kontribut në funksion të shtetit
“Unë besoj se Murati veç që është i familjes është edhe i pregaditur për President. Por lojen e partive politike nuk e ka pranuar. është dashtë partitë politike me ra dakort mes veti dhe së bashku me shku tek familja Jashari e me kerku që ta ndihmon shtetin e Kosovës duke pranuar poziten. Po të njejtën kohë me i premtu se do sillen me përgjegjësi institucionale në raport me popullin dhe shtetin e demokracinë mos me kuptuë si urrejtje në mes vete por si vlerë dhe garë idesh”, vlerësoi ai.
Sa i përket mundësisë së zgjedhjeve të reja, Humolli ka vlerësuar se ato nuk do ta zgjidhnin problemin, pasi sipas tij, nuk pritet të ndryshojë dukshëm përbërja e Kuvendit.
Për fund ai ka vlerësuar se Osmani i ka gjasat që sërish të zgjedhet presidente e vendit.
“Shkuerja në zgjedhje të reja nuk e zgjedh problemin për arsye se nuk do këtë mundësi me ndryshu shumë përbërja e kuvendit. Nëse sillen me këtë logjikë atëherë zgjedhjet do bëhen përseri se është vështirë që një parti me marë 80 deputet. Arsyeja politike duhet me dominu e pak ka rendesi a zgjedhet Vjosa apo ndonjë tjeter. Vjosa gjasat i ka pas dhe i ka për tu zgjedhur”, përfundoi ai për GazetaBlic.


