Lajme

Eurodeputeti holandez: Provokime fëminore dhe të rrezikshme nga Serbia – zv.drejtori i policisë të lirohet menjëherë

04/18/2024 14:26
nga:G B

Eurodeputeti holandez, Thijs Reuten ka reaguar lidhur me situatën e fundit të krijuar nga Sebria, ku gjatë ditës së djeshme u ndaluan mbi një mijë kosovarë në pikat kufitare.

Reuten ka shkruar në “X” se këto janë provokime fëminore dhe të rrezikshme nga autoritetet serbe.

“Provokime të parashikueshme, fëminore dhe të rrezikshme nga autoritetet serbe. Zëvendës shefi i Policisë së Kosovës Jankoviq është ende në paraburgim. Ai duhet të lirohet menjëherë. Ne e dimë këtë model të përshkallëzimit dhe po ashtu të frikësimit të qytetarëve serbo-kosovarë dhe duhet ta ndalojmë atë”, ka shkruar deputeti holandez.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka bërë të ditur se zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviq është dërguar në paraburgim për 48 orë nga autoritetet e Serbisë.

“Sipas informatave të fundit ai është dërguar në paraburgim 48 orësh me akuzën për prishje të rendit kushtetues”, ka thënë Sveçla.