Njohësja e çështjeve politike, Magbule Shkodra, e ka quajtur të pakuptueshëm deklarimin e deputetëve të VV-së se Albulena Haxhiu do të jetë sërish kandidate për kryetare të Kuvendit.
Ajo në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se ajo ka dështuar të zgjedhet kryeparlamentare dhe se nuk beson se do t’i marrë votat as në herët e tjera kur të jetë e propozuar nga VV.
“Deklaratat e deputetëve të VV-së se ata përsëri pas vendimit të gjykatës kushtetuese që pasi të publikohet i plotë, ata do ta kandidojnë Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit është i pakuptueshëm. Kam shprehur që VV do ta kuptojë mësimin e nxjerrë dhe do të veprojë këtij vendimi. Kandidatja Albulena Haxhiu edhe në votim të hapur nuk i ka marrë votat. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese e cakton qartë që në këtë rast duhet të shkohet me votim të hapur dhe mund të votohet 3 herë dhe cila është arsyeja që të vazhdohet me të njëjtën kandidate që nuk i ka marrë votat. Kjo është me të vërtetë e pakuptueshme dhe e pashpjegueshme. Nuk besoj se do t’i marrë votat Haxhiu dhe kam dyshime se VV do të vazhdojë me bllokadën që e ka filluar tani e sa muaj”, është shprehur ajo.
Shkodra shpreson që pas Haxhiut, VV ta propozojë ndonjë kandidat më serioz dhe që i merr votat.
“Shpresoj që edhe nëse e kandidojnë Albulena Haxhiun, tri herë mund ta kandidojnë, më shumë jo, s’besoj se do t’i marrë votat dhe shpresoj që do të provojnë me ndonjë kandidat tjetër, propozim të ri dhe të shohim kush do të jetë ai propozim, sepse siç e dini PDK nuk e voton asnjë kandidat që ka dhe post ekzekutiv, LDK ka thënë se nuk e voton asnjë kandidat të VV-së por të shpresojmë që VV do të gjejë një kandidat që do t’i marrë votat”, ka vlerësuar ajo për Gazeta Blic.
Sipas Shkodrës, s’mund të thuhet nëse do të kemi apo jo kryetar të Kuvendit, teksa për mundësinë e zgjedhjeve thotë se duhet pritur më shumë qartësi nga aktgjykimi i plotë i Kushtetueses.
“Është e vështirë të thuhet nëse do të kemi ose jo kryetar të Kuvendit pas deklaratave të VV-së pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Nëse nuk zgjidhet kryetari i parlamenti, është e vështirë të thuhet se si do të shkohet në zgjedhje por shpresa mbetet aty që kur ta shohim aktgjykimin e plotë të Kushtetueses, do të ketë shpjegime edhe më të gjera për të kuptuar si të dalim nga kjo situatë, nëse arrijmë në një situatë të tillë kur nuk mund të zgjedhet kryetari i parlamentit”, ka deklaruar Magbule Shkodra./Gazeta Blic/
Afati kushtetues/ Dy opsionet që mund të ndodhin nëse nuk konstituohet Kuvendi brenda 30 ditësh


