Lajme

“Dialogu në qorrsokak”/ Deputeti i VV-së: S’mund të ecim njëanshëm me Asociacionin, njohja de facto nga Serbia parakusht

07/09/2024 13:01
nga:G B

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, ka komentuar vazhdimin e mandatit të ndërmjetësuesit të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.

Ai në një intervistë për Gazeta Blic thotë se është çështje e BE-së, pasi po të kishin mundësi s’do ta zgjidhnin.

Sipas tij, dialogu i udhëhequr nga Borrell e Lajçak është në qorrsokak.

“Ne nuk e zgjedhim ndërmjetësuesin, as përfaqësuesin special. Po të kishim këtë mundësi me siguri që s’do të ishte Lajçak por është çështje e BE-së, ata vendosin dhe ne s’kemi asnjë ingerencë në këtë drejtim. Një gjë është e sigurt se dialogu i udhëhequr nga Borrell dhe Lajçak është futur në një qorrsokak dhe mendoj se s’ka prodhuar ndonjë rezultat pozitiv, rezultat të prekshëm dhe kjo si pasojë e qasjes së gabuar të pabalancuar që kanë ndjekur këta përfaqësues të BE-së. Nuk ka pasur qasje të balancuar, Serbia ka qenë e përkëdhelur edhe përkundër asaj që e ka sabotuar dhe minuar këtë proces, madje edhe e ka provokuar me sulmin që ka bërë vitin e kaluar në Banjskë”, shprehet deputeti.

Sa i përket dialogut, Dugolli vlerëson se Serbia e ka sabotuar atë ndërsa që Kosova s’do të bëjë zbatim të njëanshëm të marrëveshjes.

“Qëndrimet e Republikës së Kosovës, të kryeministrit Kurti janë të ditura, ne s’mund të ecim njëanshëm, në asnjë variant s’do të ketë zbatim të njëanshëm, ose do zbatohet në tërësi marrëveshja e arritur e dakorduar, ose nuk do të ketë ecje të njëanshme të Kosovës. Ne nuk mund të bëjmë gabimet e të kaluarës, kur Serbia përfitonte ndërsa Kosova ngecte, edhe përkundër asaj që ishte e vullnetit që të zbatonte atë marrëveshje. Nuk ka kuptim që të ecet me të njëjtin ritëm, në të njëjtën rrugë, sepse kemi parë nga e kaluara që Kosova edhe pse ka qenë konstruktive e tolerante dhe ka bërë koncesione, Serbia ka qenë ajo e cila e ka sabotuar prej fillimit procesin dhe është interesuar që me çdo kusht ka provuar që ta përdorë dialogun për të minuar rendin kushtetues, funksionalizimin, funksionin e shtetit të Kosovës”,  potencon ai për Gazeta Blic.

I pyetur për formimin e Asociacionit, deputeti thotë se parakusht është njohja de facto e Kosovës nga Serbia.

“E para është që ne e kemi kërkuar një qasje të tillë në vazhdimësi që Serbia të kushtëzohet që të mos ecet tutje në procesin e integrimit, pa njohjen e Kosovës. Ne përkundër asaj që çështja e Asociacionit është një kërkesë që potencohet gjithmonë nga Serbia, ne nuk mund të ecim përpara me asnjë lloj Asociacioni, pa pasur garancë dhe pa u zbatuar marrëveshja në tërësi, pra njohja de facto e Republikës së Kosovës, është parakusht për çdo lloj ecje përpara në këtë proces”, deklaron deputeti Enver Dugolli./Gazeta Blic/

Dugolli për deklaratat e Vuçiqit: Kosova s’ka pretendime territoriale ndaj asnjë shteti – Serbia s’do ta arrijë kurrë kthimin në Kosovë