Lajme

Deputetja e LDK-së kritikon Qeverinë: Po tenton të kapërcejë periudha, ka mungesë investimesh, inflacion e ikje të qytetarëve

05/18/2023 14:21
nga:G B

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka komentuar strategjinë e Bankës Botërore dhe deklaratat e kryeministrit Kurti për të.

Ajo thekson se në këtë strategji thuhet qartë se progresi është bërë përgjatë dekadës së fundit, por që Qeveria po tenton të kapërcejnë periudha të caktuara, duke bërë propagandë.

“Bëhet fjalë për strategjinë e Bankës Botërore, strategjinë për partneritetin me vendin, për vitet 2023-2027, ku Banka Botërore e thotë jashtëzakonisht qartë përgjatë dekadës së fundit, se Kosova ka bërë një progres kur janë rritur rreth 50 për qind të ardhurat për kokë të banorit dhe kemi një zvogëlim të varfërisë për rreth 30 për qind. I pashë deklaratat edhe të kryeministrit dhe të tjerëve. Këta mundohen të kapërcejnë periudha të caktuara, siç kanë bërë p.sh me World Justice Project, me Transparency International, e të tjera, duke u munduar me propagandë të bëjnë diçka që nuk po mund ta arrijnë në realitet. Banka Botërore e thotë përgjatë dekadës së fundit, që përfshin të gjitha Qeveritë që kanë qeverisur gjatë dekadës së fundit”, thotë ajo për Gazeta Blic.

Deputetja potencon se në këto dy vite qeverisje të VV-së ka pasur inflacion enorm, mos lëvizje të pagave në asnjërin sektor, braktisje të vendit nga qytetarët, madje edhe të punëtorëve të administratës shtetërore.

“Ajo çka ka ndodhur në dy vitet e qeverisjes së Lëvizjes Vetëvendosje ne e dimë të gjithë, kemi një inflacion enorm që po vazhdon, nuk kemi pasur lëvizje të pagave në sektorin publik dhe si pasojë e kësaj nuk ka pasur as rritje të pagave në sektorin privat, ka rënë fuqia blerëse, rritja ekonomike vitin e fundit ishte pak mbi 3 për qind, që është nën mesataren e dekadës së fundit, i kemi rreth 107 mijë qytetarë që e kanë lënë vendin, për herë të parë në mënyrë masovike po e lënë vendin profesionistët, ata të cilët punojnë në institucione shtetërore, që më herët konsideroheshin kontrata të sigurta, kemi ikje masovike të punëtorëve shëndetësorë dhe të profesionistëve të tjerë”, shprehet Bajrami.

Ajo e kritikon qeverinë edhe për punësimet përmes Superpunës e mungesë të investimeve kapitale.

“Këta lavdërohen se kinse po punësojnë njerëz përmes projektit Superpuna, megjithatë duhet pasur të qartë që Qeveria nuk është ndërmjetës i punësimit të qytetarëve në sektorin privat. Qeveria duhet të kujdeset që të investojë në infrastrukturë, të bëjë investime kapitale, politika fiskale, ta përmirësojë ambientin e biznesit, të ndikojë rritjen e kërkesës agregate dhe në tërheqjen e investimeve të huaja. Asnjë prej këtyre nuk kanë ndodhur. Në raportin e publikuar nga Ministria e Financave, për tremujorin e parë të këtij viti, 207 milionë janë shpenzuar në subvencione, derisa vetëm 40 milionë euro janë shpenzuar në investime kapitale. Dhe kjo lëmosha që jepet nga ana e Qeverisë janë taksa që merren drejtpërdrejt nga bizneset dhe qytetarët dhe jepen në formë të asistencës, në forma të ndryshme, të cilat shkojnë në konsum dhe janë kesh i qytetarëve të Kosovës i cili po eksportohet jashtë vendit, ndërkohë që kemi një ngecje, është e paprecedentë kjo çka po ndodhë me investimet kapitale sot. Nëse nuk fusim kapital shtetëror përmes ndërtimit të rrugëve, shkollave, çerdheve, ne po e lëmë këtë cash jashtë ekonomisë, ndërkohë që po e lëmë sektorin privat të tkurret dhe nuk kemi para e cila efekte multiplikuese në ekonomi”, potencon deputetja e LDK-së.

Bajrami thotë se të gjitha këto janë politika të gabuara dhe se Vetëvendosje e ka armik tani vetë Vetëvendosjen, derisa ka rritur dy herë çmimin e rrymës dhe nuk ka realizuar as edhe një premtim të vetëm.

“Kështu që, janë komplet politika të gabuara ose është mos punë që asnjëherë në Qeveri të Kosovës nuk e kemi parë. Ata mund të vazhdojnë me deformim të deklaratave e raporteve dhe të institucioneve ndërkombëtare, por ne jemi këtu dhe tash armiku më i madh i Lëvizjes Vetëvendosje, është vetë Vetëvendosje, janë videot e tyre, premtimet e tyre dhe gjithçka tjetër. Kanë ardhur në pushtet duke thënë që energjia elektrike është e shtrenjtë, meqenëse Kosova fle mbi gjithë këtë energji, ndërsa që patëm shtrenjtim të energjisë elektrike dy herë dhe sot nëse e krahasojmë me periudhën para se të vinte VV në pushtet, tani ka rritje 100 për qind çmimit të energjisë, sepse ka ndodhur vitin e kaluar dhe rritja tani me 1 prill. Po ashtu erdhën në pushtet duke thënë se do ta ulin TVSH-në për shportën e konsumit por nuk e kanë lëvizur fare dhe madje kanë rritur tatimin në pronë. Po të mendosh tërë ditën, nuk e di nëse gjen që e kanë realizuar ndonjë premtime”, shton më tutje Hykmete Bajrami për Gazeta Blic.

Si politikë tejet të gabuar ajo e sheh edhe rritjen e tatimit në pronë.

“Duke e marrë parasysh që kemi pasur inflacion dhe po vazhdon ende, në këtë kohë qeveria doli dhe bëri vlerësimin e patundshmërive. Ajo çka qeveria nuk e ka marrë parasysh është se me të vërtetë ka mundur të rritet çmimi, vlera e tregut të banesave, shtëpive ose aseteve që njerëzit i kanë por ata nuk i kanë ato për shitje, mbi 90 për qind janë ndërtesa rezidente ose ndërtesa ku bizneset e zhvillojnë afarizmin e tyre. Këta nuk e kanë kuptuar që gjendja ekonomike nuk ka ndryshuar dhe nëse një familje jeton në një banese me 50 metra katrorë, në qoftë se e ka blerë atë 30 mijë, sot Ministria e Financave ua ka vlerësuar atë 60 mijë ose 90 mijë, por ajo nuk ndjehet më e pasur pasi atë banesë nuk e ka për shitje, e ka për të jetuar në të dhe bazuar në këtë mandej i është rritur tatimi në pronë”.

Bajrami shpjegon se ministri Murati fillimisht kishte kërkuar falje të tatimit, që thotë se nuk ka të bëjë fare me të por me komunat, pasi tatimi është e hyrë e tyre dhe jo e ministrisë.

“Ne besojmë se ishin politika tepër të gabuara, fillimisht erdhi në seancë ministri i financave dhe tha faleni tatimin dhe mandej iu dëshmua nga ana e deputetëve që tatimi nuk falet por vetëm mund të pezullohen vlerësimet, mund të bëhet me vendim sepse ka vendime të tilla dhe i kërkuam atë por assesi nuk e bëri dhe e ridraftoi një ligj të draftuar dhe e solli në Kuvend, ku përmes tij ua jep mundësinë komunave që t’ua falin nga 100 euro. Kjo falja e 100 eurove i dëmton komunat në aspektin e të hyrave vetanake, ndërkohë që nuk e zgjidh problemin e mbivlerësimit të ndërtesave në kohë të inflacionit. Tani ligji është sjellë në Kuvend, ka kaluar në Komision për Financa, ne do e japim kontributin tonë. Ajo çka është e pafalshme, përpos asaj që e ka ngarkuar barrën e qytetarëve të Kosovës, në kushte të gjendjes së rënduar ekonomike është se e kanë sjellë një ligj pa u konsultuar fare me komunat e Kosovës, pasi tatimi në pronë nuk mblidhet nga ministria e financave, ministria e ka departamentin që merret me tatimin në pronë, vlerësimin por tatimi mblidhet nga ana e komunave, është e hyrë e komunave dhe mblidhet nga to. Kështu që, kjo është politikë tejet e gabuar”, thotë deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami./Gazeta Blic/