Lajme

Deputeti i VV-së flet për gjendjen e dy kryetarëve në komunat në veri – ka një mesazh për bandat kriminale atje

05/30/2023 17:33
nga:G B

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Halil Thaçi, në një intervistë për Gazeta Blic, ka thënë se gjendja në veri është e tensionuar nga bandat kriminale, por që është mirë që kryetarët e komunave atje kanë nisur punën.

“Gjendja në veri është e tensionuar por këto tensione dhe këto banda kriminale, e kemi thënë si VV që nga themelimi, se në veri operojnë bandat e Beogradit dhe që dolën në shesh kohëve të fundit. Është sukses i mirë që kryetarët e kanë filluar punën, por sigurisht që është sfidë për policinë dhe institucionet e rendit që t’i qetësojnë këta banditë, këta kriminelë, që po mundohen me dhunë të futen në institucionet e Kosovës”, thotë ai.

Thaçi tregon se kryetarët e VV-së kanë nisur punën dhe janë në objektet e komunave që udhëheqin, ku do të kenë mandat deri në zgjedhjet e vitit 2025, duke shtuar se kryetarët nga radhët e VV-së janë mirë dhe po punojnë, janë brenda objekteve, nga ku do të dalin kur të qetësohet gjendja nga policia e Kosovës që po kujdeset jashtë për sigurinë.

“Kryetarët nga radhët e VV-së në veri kanë filluar punën, kanë marrë vendimet e para. Ata janë duke punuar, gjendja e tyre shëndetësore është e mirë, kanë energji për të vazhduar punën për detyrën që kanë marrë. Ata janë në objektet e komunave. Ata do të jenë kryetarë në komuna deri në vitin 2025, deri në zgjedhjet e ardhshme lokale, mirëpo kryetarët aty aktualisht kanë përreth, me gjithë presionin që po bëjnë bandat kriminale që janë aty jashtë, ata do të qëndrojnë brenda dhe do të punojnë, por sigurisht që policia po i siguron ata dhe qytetarët atje dhe besoj se shumë shpejt kjo do të kalojë, do të qetësohet gjendja dhe bandat ashtu siç kanë ardhur nga Beogradi, do të kthehen atje, sepse këtu është Republika e Kosovës, është parë dhe treguar dhe në veri po valon flamuri i Kosovës, që është dashur të valojë shumë vite më parë”, shprehet ai për Gazeta Blic.

Sipas tij, është interesante se protestuesve në veri po u pengojnë mediat, pasi po u zbulohet fytyra e vërtetë që është një strukturë e Vuçiqit që po proteston në emër të qytetarëve, mirëpo sipas tij, situata së shpejti do të qetësohet.

“Ajo që më bëri përshtypje gjatë protestës së djeshme ishte që iu pengonin mediat më shumë se policia dhe KFOR-i, që tregon se po iu pengojnë pasi mediat po e shfaqin figurën e vërtetë të tyre se kush janë. Kjo pasi aty ka edhe policë që janë aktiv në Serbi dhe që marrin pjesë në demonstratë, pra është komplet një strukturë e policisë së organizuar nga Vuçiq, që po thirret në emër të qytetarëve të Kosovës, për të destabilizuar Kosovës. Por unë besoj se policia dhe KFOR-i do ta qetësojnë situatën, pavarësisht tendave që ata po vendosin. Atje nuk po protestojnë qytetarët po banditët dhe vetëm banditët dhe kriminelët serbë dhe ata qytetarë janë në hall me këto banda kriminale që është dashur shteti ynë të veprojë shumë më herët dhe ta shtrijë ligjin dhe rendin atje”, potencon deputeti i VV-së.

Sa i përket zgjidhjes së gjendjes, ai thotë se zgjidhja kanë qenë zgjedhjet.

“Ne kemi ofruar zgjidhje dhe zgjidhja ishin zgjedhjet, ata nuk morën pjesë në zgjedhje, i bojkotuan ato, ndërsa sot kërkojnë që në të njëjtat institucione të futen me dhunë. Pra zgjedhje e vetmja është rendi dhe ligji. Jam i bindur se policia e Kosovës nuk do të tërhiqet derisa të qetësohet situata, situata do të shkojë duke u stabilizuar shumë shpejt dhe çdo gjë do të kthehet në normalitet shumë shpejt”, shprehet ai./Gazeta Blic/