I akuzuari Ferdinand Gojani, u dënua me një vit burgim me kusht për falsifikimin e rezultateve të votimit në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021, pasi kishte lidhur marrëveshje me prokurorinë për pranimin e fajësisë.
Shpalljen e dënimit e bëri të martën gjyqtari i rastit Sami Sharraxhiu, në Gjykatën Themelore në Pejë, në seancën fillestare ku palët kishin arritur marrëveshjen për pranimin e fajësisë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Fillimisht, i akuzuari Gojani deklaroi se e pranon fajësinë sikurse në marrëveshje, duke shtuar se është i njoftuar lidhur me benefitet dhe pasojat e pranimit të fajësisë.
Ndërsa, mbrojtësja e tij, avokatja Pranvera Zhara, deklaroi se kishte qenë prezente gjatë lidhjes së marrëveshjes së pranimit të fajësisë së bashku me prokurorinë dhe shtoi se nuk kishte ndonjë shkelje ligjore.
E njëjta u pajtua me pranimin e fajësisë nga marrëveshja lidhur me Prokurorinë Themelore në Pejë dhe kërkoi që ajo marrëveshje të aprovohet si e bazuar dhe e ligjshme dhe gjithashtu të lirohet nga pagesa e shpenzimeve të procedurës për shkaqe të gjendjes së tij ekonomike.
“Në tërësi pranoj marrëveshjen e lidhur me prokurorinë, jam i penduar dhe premtoj se nuk do të përsëritet më një gjë e tillë’’, tha i akuzuari Gojani.
Më pas, gjykata e aprovoi pranimin e fajësisë nga i akuzuari Ferdinand Gojani, e lidhur në mes të tij, prokurorit Agron Galani, si dhe në prezencën e mbrojtëses së të akuzuarit, Pranvera Zhara, dhe e dhënë në fuqi nga kryeprokurori Kurmehaj.
Pas kësaj, gjykata shqiptoi dënimin prej një vit burgim me kusht për një vit nëse i njëjti nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale, ndërsa e liroi nga shpenzimet procedurale.
Ndryshe sipas akuzës së ngritur nga Prokuroria e Pejës, më 3 nëntor 2021, Ferdinand Gojani më 14 shkurt 2021, në objektin e shkollës së mesme të ulët ‘’At Shtjefën Gjeçovi’’, në fshatin Zllakuqan, Komuna e Klinës, në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, në vendvotimin nr.0804C/02R, në cilësinë e lryesuesit të Komisionit Zgjedhor, regjistron në mënyrë të pasaktë rezultatet e zgjedhjeve në dokumentet zgjedhore.
Gjithnjë sipas akuzës, për kandidatin Anton Shala, regjistron se ka 00 vota, gjersa pas rinumërimit nga PZAP dhe krahasimit të të dhënave të cilat janë krijuar në vendvotimin e lartcekur, kandidati Anton Shala ka gjithsej 51 vota dhe një fletëvotim të pavlefshëm, gjersa subjekti politik i AAK-së, i ka gjithsej 124 vota dhe me këtë rast duke fshirë 51 vota për kandidatin Anton janë regjistruar në mënyrë të pasaktë gjithsej 51 vota, duke regjistruar 00 vota, ani pse ai kishte 51 vota.
Me këtë, akuzohej se ka kryer veprën penale ‘’Falsifikimi i rezultateve të votimit’’, nga neni 216, par.2 lidhur me par.1 të Kodit Penal.


