Sanksione ndaj Serbisë nga ndërkombëtarët ka kërkuar Presidenca e Kosovës, pas deklaratës së presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, se nuk do ta zbatojë plotësisht Marrëveshjen e Ohrit dhe se këtë ua ka bërë të ditur edhe ndërkombëtarëve.
Kjo deklaratë e tij ka ngjallur reagime të shumta në Kosovë.
Lidhur me këtë, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Agon Batusha, thotë për Gazeta Blic se deklaratat janë shqetësuese dhe se Serbia po tregon mungesën e vullnetit për paqe në rajon.
“Deklaratat që po bëhen nga pala tjetër janë shqetësuese për mbarëvajtjen dhe rezultatet që mund të dalin nga dialogu. Serbia gjithnjë e më shumë po tregon mosvullnetin e saj për të bërë paqe në rajon, për të zbatuar normat ndërkombëtare dhe për të realizuar premtimet apo zotimet që ka bërë”, thotë Batusha.
Sipas tij, ky është sinjal i fortë për ndërkombëtarët që është dashur të marrin masa ndaj palës destruktive dhe se nëse nuk ndërmerren masa, është sinjal demotivues për Kosovën.
“Ky është sinjal i fortë për ndërkombëtarët të cilët deri tani është dashur të marrin masat e nevojshme ndaj kësaj pale destruktive. Çdo mosveprim apo mosgatishmëri e ndërkombëtarëve për të vepruar apo sanksionuar Serbinë është sinjal demotivues për Kosovën dhe jo vetëm sepse përçojnë mesazhe të dobësisë, mos unitetit dhe rajoni mund të bëhet lehtësisht shteg i lehtë për depërtimin e ideve pro-ruse e destabilizuese”, deklaron deputeti Agon Batusha./Gazeta Blic/
Deputetja e LDK-së: BE ta ndëshkojë Serbinë për mos respektim të Marrëveshjes së Ohrit


