Shqipëria do të përballet, në kuadër të kualifikueseve të EURO 2024, me Republikën Çeke më 7 shtator në Pragë dhe me Poloninë më 10 shtator në “Air Albania”.
Kuqezinjtë kërkojnë rezultate sa më pozitive në këto dy takime, duke bërë më pas një tjetër hap të madh drejt kualifikimit në Kampionatin Evropian, shkruan GazetaBlic Sport.
Të drejtuarit e Sylvinhos janë momentalisht në vendin e dytë në grup, duke siguruar 6 pikë nga 3 ndeshjet e para, me një humbje ndaj Polonisë dhe dy fitore ndaj Moldavisë, respektivisht Ishujve Faroe.
Në një koment të shkurtër ekskluziv për ‘GazetaBlic Sport‘, Jasir Asani tha se janë super gati për ndeshjen shumë të rëndësishme që do të zhvillohet nesër ndaj Çekisë.
“Gjithçka po shkon super mirë deri më tash. Grupi është shumë i fortë, të gjithë çunat janë gati për këto dy takime. Besoj për rezultate të mira në dy takimet, me Zotin përpara“, tha Asani.
Kujtojmë që paraqitjet e tij kanë qenë fantastike në 3 ndeshjet deri më tash, duke qenë njëra nga pikat më të forta të kombëtares.

/GazetaBlic Sport/


