Lajme

Burjani: AAK-ja nuk ka garancë se do ta merr Kurti ne koalicion, LDK refuzon mënyrën e shpërbërjes së Kuvendit për shkak të garës elektorale!

05/31/2024 20:01
nga:Y I

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ditë më parë, zhvilloi një takim me kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi.

Ndër të tjera në këtë takim u fol edhe për mbajten e zgjedhjeve të parakohshme.

Krasniqi pas takimit tha se zgjedhjet e parakohshme janë të domosdoshme.

“I shpreha edhe kryeministrit Kurti se konsiderojmë që duhet të përshpejtojmë punën për t’u dhënë zgjidhje këtyre temave. PDK e ka nominuar edhe kandidatin e vet për kryeministër që konsiderojmë se është kandidati më i duhur për t’i dhënë zgjidhje dhe përgjigje problemeve. Por për të arritur këtu një gjë është e domosdoshme e ato janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare sepse situata e jashtëzakonshme kërkon zgjedhje të jashtëzakonshme. Kryeministrit ia shpreha këtë qëndrim siç e kemi shprehur publikisht tash e sa kohë” tha Krasniqi pas takimit.

Por dy partitë e tjera opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) nuk dhanë votat e tyre pro shpërbërjes së Kuvendit me arsyetimin se kryeministri Kurti duhet të japë njëherë dorëheqjen pastaj i japin votat për shpërbërjen e Kuvendit.

Në lidhje me qëndrimin e dy partive opozitare, LDK-së dhe AAK-së, ka folur për “Gazeta Blic” njohësi i zhvillimeve polititike në vend, Blerim Burjani.

Burjani tha se ky vendim i tyre ka ardhur pasi AAK-ja nuk ka ndonjë garancë se do ta merr Kurti ne koalicion ndërsa LDK refuzon mënyrën e shpërbërjes së Kuvendit për shkak të garas elektorale.

“AAK-ja nuk ka ndonjë garancë se do ta merr Kurti ne koalicion, LDK refuzon mënyrën e shpërbërjes së Kuvendit për shkak të garas elektorale.Ky subjekt e vlerëson se vetem me VV-në është në garë përderisa për PDK-në mendojnë se mund të jenë në koalicion te ardhshëm dhe nuk duan të ua mundësojnë këtë zbatimit të planit. Realisht PDK-ja ka interes për të hyrë në zgjedhje për koalicion nuk ka menduar ende. Ka lojera politike por jo besim në qellime dhe veprime” deklaroi Burjani në një përgjigje dhënë për “Gazeta Blic”.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, njoftoi dy ditë më parë se mundësia për shpërndarjen e Kuvendit dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohëshme tashmë është ezauruar.

Krasniqi, në një konferencë për media tha se thirrja dhe propozimi i PDK-së për koordinim mes partive më të mëdha politike lidhur me këtë proces nuk e ka gjetur mbështetjen e nevojshme.

“Unë mund të hamendësoj për arsyet e gatishmërisë deklarative së partisë në pushtet për të shkuar në zgjedhje të parakohshme, por vërtetë jam i habitur nga mosgatishmëria e partive opozitare për ta bërë një gjë të tillë, sepse mos shkuarja në zgjedhe efektivisht po ia zgjatë mandatin pushtetit aktual. Më lejoni të ritheksoj se Partia Demokratike e Kosovës ka qenë dhe është gjithmonë e gatshme për cilindo variant që mundëson zgjedhje të parakohshme dhe largimin e kësaj Qeverie” u shpreh kreu i PDK-së, raporton Gazeta Blic.

/Gazeta Blic/

Memli Krasniqi: Mundësia për shpërndarjen e Kuvendit është ezauruar