Lajme

BQK pa Guvernator, opozita akuza Qeverisë Kurti: Kapje e politizim i skajshëm – zvarritja e procesit e qëllimshme nga VV

03/29/2023 21:49
nga:G B

Nga sot, Banka Qendrore e Kosovës ka mbetur pa Guvernator.

Kjo pasi ka përfunduar mandati i Guvernatorit Fehmi Mehmeti dhe Guvernatori i ri nuk është zgjedhur ende.

E, duke qenë kështu, pozitën e Guvernatorit do ta ushtrojë kryetari i bordit, Bashkim Nurboja.

Vendimi është marrë nga ky bord në mbledhjen e mbajtur këtë të mërkurë, ndërsa edhe dy anëtarë joekzekutivë të bordit do t’i marrin pozitat e zëvendësguvernatorëve.

“Vendimi si më lartë është marrë, me qëllim të sigurimit të vazhdimësisë së përmbushjes së objektivave të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës siç është përcaktuar me Ligjin për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës”, thuhet në kumtesë.

Lidhur me këtë, deputeti i PDK-së, Ferat Shala, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se i gjithë procesi i zgjedhjes së Guvernatorit është bërë nga Qeveria Kurti dhe ministri i financave, që në këtë pozitë të vendosin militantë të tyre.

“Zvarritja e procesit të zgjedhjes së Guvernatorit nga qeveria Kurti bashkë me ministrin e financave, është që të vendosin militantët partiakë në krye të institucionit më të lartë financiar shtetëror që është BQK” , thotë ai.

Shala teksa përmend Nurbojën, si tani ushtrues detyre i kësaj pozite dhe që është pjesë e VV-së.

“Z.Nurboja ka qenë dhe është pjesë aktive e Lëvizjes Vetëvendosje dhe sot edhe publikisht qeveria Kurti ka kapur, ka vendosur njerëzit e saj në të gjitha nivelet menaxhuese të BQK-së. Pra, ka vendosur z.Nurboja nga njeriu kryesuesit të Bordit, në u.d të Guvernatorit dhe ka vendosur krejtësisht në mënyrë të paligjshme dhe të pa transparencë dy zv/Guvernatorë që kanë qenë anëtarë të Bordit Menaxhues”, shprehet deputeti për Gazeta Blic.

Ai thotë se i gjithë procesi është zvarritur me qëllimin e sjelljes së kësaj gjendje.

“Në esencë, tërë procesi i zhagitjes i vonesës dhe tërë procesi i komplikimit me shumë parregullsi dhe shkelje që kanë ndodhur ka qenë vetëm pretekst që ta sjellin në këtë situatë, që pa konkurs dhe pa asnjë proces transparent t’i vendosin kuadrot e veta Qeveria Kurti në BQK”, shton Shala.

Sipas tij, tani u.d i Guvernatorit është edhe pjesë e panelit për zgjedhjen e bordit të Trustit dhe se Qeveria dëshiron ta kapë edhe Trustin, sikur BQK-në.

“Për më keq, me automatizëm sipas ligjit, tashmë u.d i Guvernatorit është edhe pjesë e panelit për zgjedhjen e bordit të Trustit. Pra, tashmë jo vetëm BQK por duan që të kapet edhe bordi i Trustit që është po ashtu në situatë të ngjashme. Ne këto situata i kemi përcjellë, paralajmëruar, dje herën e fundit në prezencë të z.Nurboja i kemi ngrit të njëjtat shqetësime dhe sot u vërtetuan të gjitha ato se është kapur, është vendosur një ekip menaxhues 100 për qind politik dhe perspektiva e këtij institucioni është vërtet e dyshimtë”, deklaron deputeti i PDK-së, Ferat Shala.

Lidhur me Guvernatorin ka reaguar në Facebook edhe deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, që e ka quajtur tmerr e dëm për ekonominë, marifet që nuk ka ndodhur në 20 vjet.

“Nga sot, ushtruesi i detyrës së Zëvendësguvernatorit bëhet ushtrues detyre i Guvernatorit. Ky marifet nuk është parë në 20 vjet. Këta mashtrues e të paaftë, me tendencë për të kapur gjithçka, gjatë tërë vitit 2022 e kanë bojkotuar zgjedhjen e zëvendësguvernatorit. Ndërkaq, tani e kanë dëmtuar edhe procesin e zgjedhjes së Guvernatorit duke bërë shkelje ligjore në procesin e përzgjedhjes. Kjo ka krijuar situatë të jashtëzakonshme, në të cilën vetë Kryetari i Bordit të BQK-së mund të marrë detyrën e Guvernatorit. Tmerr. Dëm për ekonominë. Mesazh shumë i keq për tregun financiar dhe investitorët e jashtëm e të brendshëm”, ka shkruar në Facebook Hoti.

Kurse, deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, thotë për Gazeta Blic se BQK dhe Trusti janë në gjendje të palakmueshme dhe përgjegjësia bie mbi qeverinë.

“BQK dhe Trusti nuk kanë qenë në gjendje të lakmueshme së fundmi. Kanë pësuar këto institucione si dhe qytetarët e vendit. Prandaj përgjegjësia bie direkt mbi Qeverinë dhe shumicën parlamentare e cila i toleroi këto gabime e lëshime të mëdha”, vlerëson ai.

Sipas tij, mos zgjedhja e Guvernatorit të BQK-së ka qenë tendencioze dhe qëllimi është të vije dikush nga pushteti, që të vihet kontrolli mbi këtë institucion.

“Aq sa e kemi parë, moszgjedhja e Guvernatorit ka qenë tendencioze, ku Bordi brenda BQK ka punuar me direktiva nga jashtë ku është planifikuar që në krye të BQK-së të vije dikush nga pushteti me qëllim që të kenë në kontroll këtë institucion vital të shtetit. Dhe kjo nuk është mirë sepse po dëmtohet shteti dhe proceset e tij. Pra, në vend që të punohet me politikat shtetërore të Bankës Qendrore, dhe në vend që të merremi me stabilitetin financiar, BQK po humb kohë duke u marrë me gabimet trashanike dhe zvarritjet e panevojshme”, thekson deputeti i AAK-së për Gazeta Blic.

Ai shton se mos zgjedhja e Guvernatorit e ka bllokuar edhe Trustin dhe se këto do t’i kushtojnë Kosovën dhe qytetarëve të saj.

“Moszgjedhja e guvernatorit të BQK-së e ka bllokuar edhe Trustin, pasi si mungesë e Guvernatorit, nuk ka mundur që të zhvillohet zgjedhja e anëtarëve të Bordit të Trustit. Këto dy veprime dhe dështime në BQK dhe TRUST i kanë kushtuar dhe do t’i kushtojnë Kosovës e qytetarëve të saj”, deklaron deputeti Pal Lekaj për Gazeta Blic.

Ndërsa, eksperti i ekonomisë, Safet Gërxhaliu, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se skena politike po dominon dhe po bëhet kapje e shtetit.

“Në Kosovë skena politike po dominon dhe aty ku dominon skena politike, aty ka politizim edhe të ekonomisë dhe në këtë drejtim marrë faktin që ka edhe përgjegjësi individuale, qoftë institucionale, ndodhin gjëra të tilla, kapje të shtetit në forma të ndryshme”, thotë ai.

Sipas Gërxhaliut, shumë politikanë nuk po e kuptojnë rëndësinë e BQK-së e Guvernatorit.

“Si duket shumë politikanë nuk e kuptojnë rëndësinë e Bankës Qendrore, shumë politikanë nuk e kuptojnë rëndësinë e Guvernatorit të BQK-së, shumëkush nuk e kupton se çka do të thotë Bordi i Trustit Pensional, me mbet pa bord menaxhues, dhe e tëra kjo e ka sjellë Kosovën në një situatë ku më nuk është vlera dhe profesionalizmi por përkatësia politike”, thekson eksperti i ekonomisë.

Ai përmend punën e BQK-së dhe raportet vlerësuese të Komisionit Evropian, DASH-i, FMN e Banka Botërore dhe thotë se Guvernatori Mehmeti u largua e nuk iu njoh merita.

“BQK në kohë të Covid-19, në kohë të pandemisë ekonomike, në kohën e luftës Ukrainë-Rusi ka performuar në mënyrë fenomenale, këtë e dëshmon raporti i Komisionit evropian, DASH-i, FMN dhe Banka Botërore dhe kanë menduar se atij duhet t’i jepet merita dhe jo të largohet në këtë mënyrë. Vetë fakti se ai nuk është në listë me pesë anëtarët për t’u votuar në Parlament, vërtet e dëmton Kosovën në forma të ndryshme”, shton ai.

Gërxhaliu pyet se si do të ndihen Kurti e Murati kur të pyeten nga zyrtarë të Bankës Botërore e FMN-së dhe i pyesin se ku është Guvernatori i cili nuk e ka kaluar testin, teksa shton se i gjithë procesi është bërë nga kryesuesi i komisionit, z.Nurboja, që ta shfrytëzojë këtë vakum për të prolonguar procesin, për t’u politizuar, për ta kriminalizuar dhe në fund të vihet në pikën zero dhe ai ta ushtrojë detyrën e Guvernatorit.

“Si e ndiejnë veten kryeministri dhe ministri i financave kur nesër do të takohen me zyrtarë të Bankës Botërore e FMN-së dhe i pyesin se ku është Guvernatori i cili nuk e ka kaluar testin dhe në këtë drejtim besoj se është një dëm që po i bëhet edhe atij personalisht por edhe Kosovës në përgjithësi dhe si duket e tëra kjo është bërë nga kryesuesi i komisionit, z.Nurboja, që ta shfrytëzojë këtë vakum për të prolonguar procesin, për t’u politizuar, për ta kriminalizuar dhe në fund të vihet në pikën zero dhe ai ta ushtrojë detyrën e Guvernatorit”, vlerëson Safet Gërxhaliu.

Ai thotë se për këtë duhet të reagohet nga instancat dhe se në Kosovë po varroset demokracia.

“Është vërtet diçka që kërkon përgjegjësi dhe nëse nuk reagohet nga instancat, edhe në Parlament, edhe në komisione, është një dëshmi që në Kosovë po varroset demokracia, në Kosovë po dominon meritokracia dhe përkatësia politike dhe kjo do të jetë një problem për të rinjtë se ju nevojitet vetëm të jenë militantë partiakë dhe mund ta kenë pozitën që duan”, thotë ai.

Sipas Gërxhaliut, qëllimi është që kjo pozitë të kapet nga Vetëvendosje dhe se kandidati në fjalë është pjesë e kësaj partie dhe se ky politizim i skajshëm do t’i kushtojë Kosovës.

“Definitivisht vetë fakti që personi në fjalë ka qenë kandidat në nivel komunal për zgjedhjet e VV-së, edhe në nivel qendror dhe është vërejtur brutaliteti i tij për ta takuar në mënyrë personale Guvernatorin Mehmeti, siç e kam përcjellë në raportime në Komisionin për Financa, e dëshmon më së miri se është një politizim i skajshëm, por si duket ky politizim do t’i kushtojë Kosovës shtrenjtë”, shton ai.

Eksperti i ekonomisë thotë se ky eksperiment në Kosovë lidhur me BQK-në duhet të studiohet.

“Po e shihni fatin e ndërmarrjeve publike, kapjen e shumë poreve të shoqërisë dhe aty ku ka kapje, ka dështim dhe në qoftë se do të dështojë BQK në këtë kohë të krizave kur po tronditen bankat nëpër vendet e botës, e Kosova të eksperimentojë në këtë mënyrë vërtet është diçka që duhet të studiohet në qarqe të studimeve edhe ekonomike edhe menaxheriale në botë, që vërtet të konstatohet se çfarë eksperimenti i rrezikshëm mund të jetë ky”, deklaron Safet Gërxhaliu./Gazeta Blic/