Lajme

““Bordet politike”, konstantja e secilës qeveri të Kosovës”

07/08/2021 10:44
nga:M K

Sot Instituti Demokratik (KDI) ka publikuar hulumtimin “Bordet Politike”, ku ndër tjera ka analizuar Bordet të cilat udhëhoqën me ndërmarrjet publike qendrore gjatë vitit 2020.

Gjetjet e raportit tregojnë për shkelje të Ligjit pët Ndërmarrje Publike nga të gjitha Qeveritë e Kosovës, në kurriz të pavarësisë “politike” të bordeve, përkundër obligimeve ligjore që kërkojnë që anëtarët e Bordeve të përzgjedhen ose emërohen në bazë të kriterit të profesionalizimit, integritetit dhe pavarësisë politike.

Praktika tregon shumë raste kur kandidatë të subjekteve politike për deputetë të Kuvendit të Kosovës ose kryetarë komunash që nuk kanë arritur të marrin vota të mjaftueshme për t’u zgjedhur në zgjedhjet e viteve të fundit, janë përzgjedhur si drejtorë të bordeve të ndërmarrjeve publike.

Analiza tregon edhe për shkelje tjera që lidhen me përbërjen gjinore të bordeve. Shumica e bordeve dominohen nga burrat, edhepse ligji kërkon përfaqësim në masën 50/50. Në praktikë, në vetëm katër nga shtatë Bordet e Ndërmarrjeve publike qëndrore (Trepça, Posta e Kosovës, Infrakos, Ibër-Lepenci, Trainkos dhe Kompania për menaxhimin e mbeturinave) ka përfaqësim të grave. Edhe sa i përket deklarimit të pasurisë nga anëtarët e Bordeve, gjatë vitit 2020, anëtarët e dy nga shtatë bordeve, fare nuk kanë deklaruar pasurinë e tyre.

KDI kërkon nga Qeveria e Kosovës që gjatë procesit të zgjedhjes apo emërimit të anëtarevë të bordeve të ndërmarrjeve publike, të vendos në bazë të kriterit të profesionalizmit, integritetit dhe paanësisë politike, duke qenë se ndërmarrjet publike, përmes shërbimeve të tyre prekin drejtpërdrejtë jetën e qytetarëve dhe interesin e gjerë shoqëror.

Hulumtimi mund të shkarkohet në https://kdi-kosova.org/wp-content/uploads/2021/07/40-Bordet-e-politikes-01.pdf