CIA-ja dhe Zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare (ODNI) në ShBA janë goditur nga një sulm i dyshuar kibernetik, që ka prekur informacionet e paklasifikuara, kanë bërë të ditur për CNN katër burime në dijeni të rastit.
Sulmi ka prekur një sistem që agjencitë e përdorin për analizimin e inteligjencës nga burimet e hapura.
Megjithatë, zyrtarët kanë theksuar se asnjë informacion i klasifikuar nuk është komprometuar.
“Nuk ka pasur ndërprerje të kapaciteteve kritike apo të sistemeve të klasifikuara”, ka deklaruar një zyrtar i ODNI-së, ndërsa CIA ka refuzuar të komentojë, shkruan CNN.
ODNI mbikëqyr 17 agjenci amerikane të inteligjencës, përfshirë CIA-n.
Incidenti, për të cilin fillimisht raportoi The New York Times, vjen pas një serie sulmesh kibernetike dhe ndërprerjesh teknologjike që kanë prekur institucionet amerikane.
Sipas burimeve, ai nuk duket të ketë lidhje me sulmin e dyshuar ndaj bazës kombëtare të të dhënave kriminale të FBI-së.
Ndërkohë, ndërprerje të tjera teknologjike kanë prekur edhe bankat, Agjencinë e Sigurisë Kombëtare (NSA) dhe sistemin e kontrollit të trafikut ajror të ShBA-së.

