Lajme

Bajraktari: Ligji është mjaft i qartë dhe parasheh dënime por politika ndëshkimore nuk është e duhur dhe duhet rishikuar

12/02/2023 12:30
nga:Sh R

Departamenti Amerikan i Shtetit në raporton e fundit e kritikoi Kosovën për dënime të ulëta për akuzat e lidhura me terrorizëm. Në lidhje me këtë në një prononcim për Gazeta Blic, ka folur edhe avokati Ardian Bajraktari, ku thotë se rekomandimet e partnerëve tanë duhet të merren me shumë seriozitet dhe përkushtim.

“Rekomandimet e partnerëve tanë e aq me tepër kur vijnë nga Departamenti Amerikan i Shtetit, duhet marrë me shumë seriozitet e përkushtim”, tha Bajraktari.

Tutje ai thotë se çështja e politikës ndëshkimore, ka nevojë për rishikim dhe ashpërsim të dënimeve për kategori të caktuara të veprave penale.

“Sa i përket çështjes së politikës ndëshkimore, vlerësoj se e njëjta ka vend për rishikim, me qellim të ashpërsimit të dënimeve për kategori të caktuara të veprave penale, me theks të veçantë te veprat penale që ndërlidhen me terrorizmin, bazuar në faktin se janë vepra jashtëzakonisht të rënda e me pasoja po ashtu të rënda, për vendin dhe më gjerë”, shtoi ai.

Bajraktari thotë se kodi ynë penal parasheh dënime mjaft të ashpra për kryesit e veprave penale të lidhura me terrorrizmin, përfshirë edhe dënimin me burgim të përjetshëm.

“Kodi ynë penal parasheh dënime mjaft të ashpra për kryerësit e veprave penale të lidhura me terrorizmin, përfshirë edhe dënimin me burgim të përjetshëm, siç është rasti për shembull tek vepra penale e paraparë në nenin 129 (Kryerja e veprës terroriste), ku sipas paragrafit 3 të këtij neni, nëse vepra terroriste rezulton me vdekjen e një apo më shumë personave, kryerësi dënohet me të paktën 15 vjet ose me burgim të përjetshëm”, u shpreh ai.

Ai thotë se ligji është mjaft i qartë dhe parasheh dënime por politika ndëshkimore nuk është e duhur dhe duhet rishikuar.

“Pra, ligji është mjaft i qartë dhe parasheh dënime, në proporcion me peshën dhe pasojat që shkaktohen nga veprat e tilla, por politika ndëshkimore nuk është e duhur dhe duhet rishikuar”, shtoi avokati.

Bajraktari thotë se një pjesë e kryerësve të veprave penale, janë përsëritës të veprave penale, ku dëshmohet se të njëjtit nuk janë ri-socializuar, ku thotë se institucionet korrektuese nuk e kanë arritur qëllimin dhe misionin e dënimit.

“Për më tepër, një pjesë e kryerësve të veprave penale, përfshirë dhe këto veprat e kryera së fundmi, por janë edhe përsëritës të veprave penale, përkatësisht recidivist, me çka dëshmohet se të njëjtit nuk janë ri-socializuar, përkatësisht ndëshkimi, por edhe trajnimi nga ana e institucioneve korrektuese nuk e kanë arritur qëllimin dhe misionin e dënimit, që kryerësi të ri-socializohet dhe të bëhet person i dobishëm për shoqërinë. Pra, rishikimi i dënimeve, apo politika ndëshkimore duhet ta ketë parasysh që dënimet e dhëna ta arrijnë qëllimin, ri-socializimin”, përfundoi Bajraktari për Gazeta Blic.