Në pasditen e së hënës në Gjykatën Themelore në Mitrovicë është mbajtur seanca dëgjimore në lidhje me kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë, ndaj të dyshuarve Arif, Nuredin dhe Faton Lushtaku, në drejtim të veprave penale “Sulmi ndaj personit zyrtar”, “Mbajta në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.
Fillimisht, kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit është elaboruar nga prokurorja e rastit, Fetije Bajrami, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Prokurorja Bajrami deklaroi se nga shkresat e lëndës ekziston dyshimi i bazuar se të dyshuarit më 2 korrik 2022 rreth orës 23:45 minuta, në Skenderaj, saktësisht në rrugën “Fadil Rrustemi” së bashku kanë sulmuar personin zyrtar, që ka qenë në kryerje të detyrave zyrtare, dhe atë policët Enver Berisha dhe Mërgim Geci.
Prokurorja elaboroi motivet e rastit, ashtu që sipas kërkesës fillimisht policët kanë ndalë në komunikacion djalin e të dyshuarin Nuredin Lushtaku, dëshmitarin Arbër Lushtakun të cilit i kanë shqiptuar një tiketë për shkak të mosvënies së rripit të sigurisë.
Polici Berisha kishte kërkuar me telefon nga kolegët e tij që t’i sillnin tiketa, meqë i njëjti nuk i kishte pasur në posedim.
Pas kësaj, sipas kërkesës dëshmitari e ka thirr në telefon prindin e tij Nuredin Lushtaku i cili kishte shkuar menjëherë së bashku me dy vëllezërit e tij Faton e Arif Lushtaku, ku kanë filluar të fjalosen me policët Enver Berisha dhe Mërgim Geci.
Nga elaborimi i kërkesës thuhet se tre të dyshuarit janë nisur në drejtim të policëve duke i sharë dhe fyer ndërsa i dëmtuari Enver kishte nxjerrë armën dhe kishte shtënë dy herë në ajër me qëllim që t’i zmbrapsë të dyshuarit.
Sipas shkresave të lëndës, pas kësaj tre të dyshuarit e kanë goditur të dëmtuarin Enver në kokë me kondak të armëve të shkurtra ndërsa nga goditjet është rrëzuar në tokë.
Nga përleshja është dëgjuar një e shtënë predha e së cilës e kishte goditur policing Mergim Geci i cili kishte ndërhyrë mes policit Berisha dhe të dyshuarve.
Prokurorja Bajrami konstatoi se i dyshuari Faton Lushtaku ia ka rrëmbyer armën policit Berisha, ndërsa në ato momente janë larguar nga vendi i ngjarjes.
Në elaborimin e kërkesës u përmendën edhe dy policë të tjerë të cilët kanë nxjerrë sprejin në drejtim të të dyshuarve.
Armën e policit Nuredin Lushtaku ia kishte dërguar Bekim Jasharit me qëllim që ky tia dorëzoj armën policisë.
Prokurorja deklaroi se i dëmtuari Berisha ka pësuar lëndime trupore, ka shtatë qepje në kokë, ndërsa i dëmtuari Mergim Geci është plagosur në këmbë nga shkrepja e armës.
Në lidhje me veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” prokurorja Bajrami deklaroi se nga shkresat e lëndës ekziston dyshimi i bazuar se të dyshuarit Faton Lushtaku dhe Nuredin Lushtaku, secili veç e veç prej datës se pacaktuar e tutje, mban në pronësi armë në shkelje me ligjin e zbatueshëm mbi armët Ligjin 05/L-22 të Republikës së Kosovës dhe atë revolen e kalibrit dhe tipit të panjohur, të cilën armë e ka mbajtë në posedim edhe më 2 korrik 2022, ku të njëjtën armë e kanë përdorë duke e goditë në kokë të dëmtuarin Enver Berisha.
Ndërsa për të dyshuarin Arif Lushtaku sipas prokurorisë ekziston dyshimi i bazuar se prej datës se pacaktuar e gjerë më 3 korrik 2022 ka mbajt në pronësi armë në shkelje me ligjin e zbatueshëm mbi armët Ligjin 05/L-22 të Republikës së Kosovës dhe atë pistoletën MIAMI Mod.92 F, me numër serik H841222 me dy fishekë të kalibrit 9x9mm dhe një karikator të cilat i janë konfiskuar nga ana e policisë, pasi që i pandehuri është dorëzuar në polici.
Tutje, sa i përket veprës penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” prokurorja Bajrami deklaroi se nga shkresat e lëndës ekziston dyshimi i bazuar po ashtu se të dyshuarit Nuredin dhe Faton Lushtaku më 2 korrik 2022 rreth orës 23:45, në Skenderaj, saktësisht në rrugën “Fadil Rrustemi”, kanë përdorë armën në shkelje të ligjit të zbatueshëm mbi armët, dhe atë armën e tipit dhe kalibrit të panjohur, ndërsa i dyshuari Arif thuhet se ka përdorë pistoletën MIAMI Mod.92 F, me numër serik H841222 dy fishekë të kalibrit 9x9mm, ashtu që me kondak të armës e kanë goditë në kokë të dëmtuarin Enver Berisha, me ç’rast i ka shkaktuar lëndime trupore.
Kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit prokurorja Bajrami e ka bazuar në pikën 1.2.2 të nenit 187 par.1 nën par.1.1 e 1.2 të KPPK-së dhe atë duke marrë parasysh se të pandehurit njihen mes vete – janë vëllezër, bashkë e kanë kryer veprën penale, pastaj nuk është dëgjuar në cilësinë e dëshmitarit edhe Arbër Lushtaku dhe dy shokët e tij që kanë qenë në automjet me të, ekziston rreziku se po qe se të njëjtit gjendet në liri mund të ndikojnë tek dëshmitarët dhe tek të bashkëpandehurit, dhe mund të asgjësoj ndonjë provë apo të pengonte rrjedhën e procedurës penale.
“Duke u bazuar ne pikën 1.2.3 të nenit 187 par.1 nën par.1.1 e 1.2 të KPPK dhe atë duke marrë parasysh peshën e veprave penale që është e rëndë, sepse kanë sulmuar policët në kryerjen e detyrave zyrtare, pastaj duke marrë parasysh kohën që ka qenë mesnatë errët, duke përdorë armët, gjegjësisht kondakun e armëve për të ju shkaktuar lëndime trupore zyrtarëve policor, pastaj marrja e armës të dëmtuarit Enver Berisha, lëndimi trupor nga shkrepja e armës të dëmtuarit Mërgim Geci, vendi ku jetojnë të dëmtuarit dhe të pandehurit e që është vend i vogël, pastaj duke marrë parasysh deklaratën e të dëmtuarit Enver Berisha se edhe më herët kanë pasur mosmarrëveshje me të pandehurit dhe dosjet kriminale në emër të pandehurve, ekziston rreziku se po qe se të njëjtit do të gjenden në liri mund te përsërisin veprat penale apo të kryejnë ndonjë vepër tjetër penale ndaj të dëmtuarit apo edhe të tjerëve”, thuhet tutje në kërkesën e prokurorisë.
Sipas prokurores Bajrami, masat tjera më të buta për parandalimin e kryerjes së veprave penale për të dyshuarit përvec masës së paraburgimit do të ishin të paefektshme për parandalimin e kryerjes së veprave penale të parapara sipas nenit 173 të KPK-së.
Pas elaborimit të kërkesës për caktimin e masës së paraburgimit ndaj vëllezrve Lushtaku, procedura vijoi me paraqitjen e mbrojtjes.
Mbrojtësi it ë dyshuarit Arif Lushtaku, avokati Haxhi Millaku kundërshtoi në tërësi kërkesën e prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të mbrojturit të tij.
Ai tha se askund në kërkesë nuk specifikohet se arma e të mbrojturit të tij kishte qenë me gaz.
Avokati Millaku deklaroi tutje se veprimet e policit Berisha mund të përbëjnë elementet e veprës penale të keqpërdorimit të detyrës dhe autoritetit zyrtar.
Sulmi ndaj policit Berisha është provokuar nga i njëjti pasi ai qëllimisht e kishte ndaluar djalin e Nuredin Lushtakut pa pasur patrollim në atë pjesë të qytetit dhe madje pa pasur as tiketa me vete, gjë e dëshmuar nga fakti se i njëjti ka kërkuar nga kolegët me telefon që t’i sjellin tiketa.
“E ka ndalur djalin në komunikacion me tendencë, në kohë të pacaktuar, në qendër të qytetit, dhe me sjellje denigruese, duke e ditur që babai i tij është person me reputacion, dhe ka dëshiruar të tregojë ‘dhëmbët e uniformës’”, ka deklaruar avokati Millaku.
Avokati Millaku i propozoi gjykatës që të refuzojë në tërësi kërkesën e prokurorisë për caktimin e paraburgimit dhe në situatën më të pafavorshme ndaj të mbrojturit të tij të shqiptojë masën e arrestit shtëpiak ose masën e paraqitjes në stacionin policor.
Tutje, mbrojtësi i të dyshuarit Nuredin Lushtaku, avokati Artan Qerkini e kundërshtoi kërkesën për caktimin e paraburgimit ndaj të mbrojturit të tij duke u bazuar në dy aspekte, aspektet që kanë të bëjnë me pretendimet e prokurorisë në lidhje me dyshimin e bazuar, dhe në adresimin e rreziqeve procedurale të cilat janë përmendur nga prokuroria në lidhje me arsyet e veçanta për caktimin e paraburgimit.
Avokati Qerkini konstatoi se veprimet e të mbrojturit të tij kanë qenë të kushtëzuara si pasojë e të shtënave me armë nga polici Berisha, pasi ai ka përdorur forcën e armës jo në proporcion me rrethanat e rastit.
Veprimet e vëllezërve sipas avokatit Qerkini janë orientuar në mbrojtjen pasi janë rrezikuar nga të shtënat me armë në ajër nga polici.
“Nga të gjitha deklaratat e policëve të cilët kanë qenë prezent në natën kritike nuk dëshmohet se Nuredin Lushtaku ka përdorur armën, pasi kanë thënë se nuk e kanë ditur se si ka ardhur deri tek plagosja e policit Mërgim Geci”, deklaroi avokati Qerkini.
Ai shtoi se presioni publik dhe politik i këtij rasti ka ndikuar në veprimet e prokurorisë.
Si përfundim avokati Qerkini i propozoi gjykatës që të refuzojë kërkesën e prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të mbrojturit të tij, ndërsa i propozoi gjykatës që ndaj të mbrojturit të tij të shqiptojë masën e paraqitjes në stacionin policor.
Ai tha se duke i dëgjuar fjalët e prokurorisë e çudit fakti se si polici po behet viktimë nga prokuroria.
Tutje, në lidhje me kërkesën e prokurorisë u deklarua edhe i dyshuari Nuredin Lushtaku.
“Me sa unë e di policia i kanë edhe dy mjete të tjera ose tri, nëse e sheh që po rrezikohet prej masës ose prej dikujt, e fundit është mundësia e përdorimit të armës, nga policet e tjerë e kam parë që kanë përdorë sprej, çka kish ndodhë nëse edhe ata të gjithë i kishin nxjerrë revolet dhe na kishin drejtu neve, kur është nxjerrë revolja ne jemi tut që po vrahemi, masi që ka gjujt polici me revole, secili veprim ka qenë i ndikuar nga frika e te shtënave, dhe për me ja hjeke revolen mos me vra dikon”, ka thënë Lushtaku në gjykatë.
Kërkesën e prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit e ka kundërshtuar edhe mbrojtësi i të dyshuarit Faton Lushtaku, avokati Agron Hoti.
Ai deklaroi se nuk janë plotësuar kushtet ligjore për caktimin e kësaj mase, sipas dispozitave të nenit 187, par.1 nën par. 1.1, duke shtuar se dyshimi i bazuar në lidhje me ekzistimin e rrezikut nuk është relevant me rrethanat e rastit.
Ndryshe, vendimi në lidhje me kërkesën e prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj vëllezërve Lushtaku po pritet të merret sonte.


