Lajme

AP shkruan për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshill të Evropës

05/12/2022 19:33
nga:G B

Agjencia amerikan e lajmeve, Associated Press (AP) ka shkruar për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Qeveria e Kosovës ka aplikuar zyrtarisht të enjten për anëtarësim në Këshillin e Evropës, organizatën më të lartë të të drejtave të njeriut në kontinent, shkruan AP, përcjell Gazeta Blic.

Serbia fqinje, nga e cila Kosova u shkëput pas një lufte në fund të viteve të 90-ta dhe e cila nuk e njeh pavarësinë e ish krahinës së saj, shprehu kundërshtimin e saj.

Këshilli i Evropës, ose KiE, i cili ka 46 vende anëtare – duke përfshirë Serbinë – tashmë ka një zyrë në Kosovë për të ndihmuar me reformat demokratike.

Qeveria e Kosovës tha në një deklaratë se vendi i vogël ballkanik tashmë ka ratifikuar konventat përkatëse për anëtarësim në organizatë.

“Të drejtat e njeriut dhe liria elementare janë të garantuara me Kushtetutën e Kosovës”, thuhet në deklaratë.

Ministrja e Jashtme Donika Gërvalla-Schëarz e dorëzoi aplikacionin në selinë e KiE në Strasburg të Francës.

Ajo tha se Kosova është vendi më “demokratik, pro-evropian dhe optimist” në rajon.

“Kjo është arsyeja pse Kosova meriton të jetë sa më shpejt anëtare e Këshillit të Evropës”, u shpreh ajo.

AP përmend dhe luftën e Serbisë në Kosovë, për fundin e të cilës u desh dhe ndërhyrja e NATO-s.

Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, duke u njohur nga 117 vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe shumicën e vendeve të BE-së. Serbia ka refuzuar ta njohë Kosovën edhe pas 11 vitesh negociatash të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq thirri një seancë të organit më të lartë të sigurisë të KE-së në përgjigje të kërkesës së Kosovës. Ai tha se “mentorët” e Kosovës në Perëndim janë pas kësaj lëvizjeje, duke shtuar se Serbia do të përgjigjet në mënyrë diplomatike dhe paqësore.

“Ne jemi vetëm një vend i vogël, liridashës, i cili dëshiron të ruajë sovranitetin e tij dhe të drejtën për vendimmarrje”, tha ai.

Në nëntor 2015, Kosova dështoi të bëhet anëtare e organizatës kulturore të OKB-së UNESCO pasi Beogradi loboi kundër. Por Kosova iu bashkua organizatës ndërkombëtare të futbollit FIFA në maj 2016./Gazeta Blic/