Ndërkohë që qytetarëve të Kosovës u janë vënë kufizime shtesë, në fundjavë, krahas mijëra qytetarëve, në Shqipëri, qëndruan deputetë të LVV-së dhe ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu. E vetë kryeministri Albin Kurti, përmes postimeve të tij u dha mbështetje tre kandidatëve, të cilët po kandidojnë në zgjedhjet e 25 prillit.
Mbështetja dhe fushata që kryeministri Kurti u dha tre kandidatëve në Shqipëri në zgjedhjet e 25 prillit, po cilësohet si papërgjegjësi karshi situatës pandemike me të cilën po përballet vendi.
Njohësi i zhvillimeve politike në vend, Fitim Salihu, thotë për GazetaBlic, se në vend që Kurti të merret me sigurimin e vaksinave, sipas tij, ai me krejt partinë është zhvendosur në Shqipëri.
“Parimisht Kurti dhe Vetevendosja kanë të drejtë të krijojnë parti dhe të garojnë në Shqipëri. Problemi lind kur merr parasysh situatën dhe rrethanat konkrete. Në vend se të merret me sigurimin e vaksinave dhe përgjegjesitë e tjera të qeverisjes, Albin Kurti me krejt partinë është zhvendosur në Shqipëri. Për me tepër, i ka izoluar qyetetarët dhe bizneset kosovare, kurse vet shkon në Shqipëri”, thotë ai
Ndërkaq, shton se për Albin Kurtin, më shumë rëndësi ka suksesi elektoral i LVV-së në Shqipëri sesa shëndeti i qytetarëve në Kosovë.
“Për Kurtin më shumë rëndesi ka suksesi elektoral i Vetevendosjes në Shqipëri sesa shëndeti dhe mirëqenia e qytetarit të thjeshtë në Kosovë”, thotë Salihu për GazetaBlic.
LEXO EDHE:
Mblidhet Qeveria, Kurti vë pikë të parë çështjen e pasurisë së fituar në mënyrë të pajustifikueshme


