Lajme

Analisti politik: Kurti nuk e ka fokusin te gjendja me pandeminë, por është koncentruar të shtrihet politikisht në Shqipëri

04/12/2021 12:21
nga:Q R

Analisti politik, Shkodran Ramadani, e ka kritikuar Albin Kurtin, shefin e Qeverisë që ditëve të fundit është marrë me zgjedhjet e protestat në Shqipëri, derisa në vend po vazhdon të jetë i lartë numri i personave të infektuar nga COVID 19, shkruan GazetaBlic.

Ramadani në një prononcim për GazetaBlic, thotë se pjesëmarrja e Kurtit në fushatën zgjedhore në Shqipëri, nuk i bënë nder askujt.

“Pjesëmarrja e Albin Kurtit në fushatën zgjedhore në Shqipëri në këtë moment është shumë e pa hijshme, për shkak të masave rigoroze që ka instaluar në Kosovë. I ka inkorajuar në një farë mënyre me lëviz në shqipëri qytetarët në përmasa të mëdha. Kjo nuk i bënë nder askujt, e as nuk i kontribon përmirësimit të gjendjes së rëndë në Kosovë”, thotë ai.

Ndërkaq, shton se Qeveria e Kosovës nuk e ka fokusin te gjendja aktuale me Covid, por, sipas tij, është fokusuar pas ambiecieve të veta në Shqipëri duke tentuar që të shtrihen politikisht.

“Qeveria nuk e ka fokusin te pandemia dhe te gjendja ekonomike, por është dhënë pas ambiecieve të veta në Shqipëri duke tentuar që të shtrihen politikisht dhe elektoralisht edhe atje. Prandaj në përgjithësi është e gabuar. Është mosrespektim i masava që vet i ka vendosur Qeveria”, thotë Ramadani.

Kurse, kryetari i LDK-së, Lumir Abdigjiku, ka thënë se marrja me zgjedhjet në Shqipëri tregon papjekuri dhe papërgjegjësi.

“Marrja me zgjedhje e protesta në Shqipëri – nga Kryeministri, ministrat e deputetët e tij – në kohë kur nga 80 bashkëqytetarë në javë na vdesin në Prishtinë; kur të moshuarit e të rrezikuarit presin vaksinim, tregon papjekuri, tregon papërgjegjësi. Përpjekja për të prekurit e familjet e tyre, për secilin tjetër që sot pret shpëtim – qoftë madje edhe si solidarizim – është një shembull sjellje prej lideri. Është lidership. Këtë punë, këtë shembull, këtë sjellje kjo Qeveri nuk po e jep dot”, ka thënë ai.

Derisa, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, tha se kryeministri i Kosovës në vend që të merret me pandeminë dhe ekonominë e rrënuar prej saj, ai e ka izoluar Kosovën dhe vet ka shkuar në Shqipëri për të marrë pjesë në fushata zgjedhore.

“Fatkeqësisht, vetëm në 20 ditët e fundit, 212 qytetarë kanë humbur jetën në betejë me virusin. Përveç një ndihme të vogël, Qeveria nuk ka siguruar asnjë vaksinë. E vetmja gjë që Kryeministri Kurti ka ndërmarrë deri më tash – ka qenë një urdhër për izolim për qytetarët e Kosovës, përderisa ministrat dhe deputetët e partisë së tij kanë çarë rrethimin dhe kanë dalë në Shqipëri për të bërë fushatë zgjedhore.Kryeministri Kurti është vaksinuar vetë, dhe ai ndihet komod me faktin se i ka pranuar 25 mijë vaksina donacion – një ndihmë kjo e siguruar nga Qeveria e kaluar, por nuk ka bërë asnjë hap për të siguruar edhe qindra mijëra vaksina të tjera që u duhen më shumë se kurrë qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Tahiri.

 

LDK, AAK e Nisma nuk paguajnë gjobat për shkeljen e Ligjit anti- covid, paralajmërohet dërgimi te përmbaruesi