Lajme

Analisti nga Shqipëria: Edi Rama bën rolin e ndërmjetësuesit pa patur mandat, foli mbrëmë kundër Kurtit për t’i ‘fituar’ zemrën Blinken

06/03/2023 19:14
nga:Y I

Njohësi i zhvillimve politike nga Shqipëria, Enton Abilekaj, në një intervistë dhënë për “Gazeta Blic” ka komentuar deklaratën e dhënë mbrëmë nga kryeminsitri i Shqipërisë, Edi Rama, se “SHBA dhe BE kanë të drejtë, ndërsa Kurti jo” referuar situatës në veri të Kosovës.

Abilekaj, tha se kryeministri Rama bën rolin e ndërmjetësit pa patur mandat, i jep Vuçiqit perçarjen e faktorit shqiptar si argument dhe pastaj ndan me publikun qëndrimet e Borrell dhe del në CNN për të sharë Kurtin.

Ai tha se intervista e tij në CNN, ku foli kundër Albin Kurtit, ishte për t’i ‘fituar’ zemrën Sekretarit të Shtetit të SHBA-ve, Antony Blinken.

“Mund të ketë disa këndvështrime për qëndrimin e barazlarguar të kryeministrit të Shqipërisë ndaj tensioneve në Veriun e Kosovës. Disa e shohin si pozitiv për të luajtur rolin e ndërmjetësit, disa e shohin si të favorshëm për Serbinë, kur lideri kryesor i Shqiptarëve i quan fajtore të dyja palët, disa e shohin si qëndrim që nuk lidhet me ndonjërën palë, por vetëm me Perëndimin, nuk lidhet me marrëdhëniet personale me dy liderët, por me interesin personal për të qenë i preferuari i Perëndimit. Në fakt duket të gjitha kënvështrimet janë të lidhura me njëra – tjetrën”, thotë ai.

“Ai bën rolin e ndërmjetësit pa patur mandat, i jep Vuçiçit perçarjen e faktorit shqiptar si argument dhe pastaj ndan me publikun qëndrimet e Borrell dhe del në CNN për të sharë Kurtin, me pretekstin e liderit rajonal që qetëson mendjet e nxehta, e shqiptarit të ftohtë qe e sheh qartësisht të ardhmen e rajonit tek pajtimi i shqiptarëve me serbët. Ka disa fakte që e kompromentojnë pretendimin e Kryeministrit Rama, se ky është qëndrimi që i shërben më shumë Kombit. Më shumë se intervista në CNN, ku ai doli kundër Kurtit për të fituar zemrën e Blinkenit, janë postimet dhe deklaratat e mëparshme dhe të mëvonshme. Pak më parë ai bëri share për herë të dytë qëndrimin e Borell, që i kërkon Qeverisë së Kosovës të lëshojë godinat e Komunave në duart e protestuesve të organizuar nga Beogradi. Kjo është më e pakta, pasi parmbrëmë mbështeti një plan të Borell me 3 pika, ku pika e tretë ishte miratimi sa më shpejt i asosacionit të Komunave serbe. Po në mbrëmjen e së enjtes, përpara këtij qëndrimi të pashpjegueshëm në Twitter, Kryeministri Rama, në një intervistë për Blendi Fevziun deklaroi se i takoi Presidenten dhe Kryeministrin e Kosovës, por nuk diskutoi me ta situatën në Veri, pasi ata nuk ia kërkuan”, tha Abilekaj për “Gazeta Blic”

Abilekaj tha se i njëjti, kryeministri Rama, ka shpërndarë disa herë qëndrimet e Borrell, por kur është pyetur sa a ka biseduar me Kurtin dhe Osmanin për zhvillimet në veri, ka deklaruar se jo.

Ai tha se Kushtetuta e Shqipërisë e detyron Qeverinë, Parlamentin dhe Presidentin të jenë aktiv në çështjet që i takojnë Kosovës, por argumenti i Ramës ishte se nuk mund të sillet si ‘babai’ i Kosovës.

Ndërsa sa i përket situatës në të cilën ndodhet kryeminsitri Kurti, Abilekaj, tha se zgjedhja e tij është e vështirë.

“Kushtetuta e Shqipërisë e detyron Qeverinë, Parlamentin dhe Presidentin të jenë aktiv në çështjet që i takojnë Kosovës, por argumenti i Ramës ishte se nuk mund të sillet si babai i Kosovës. Ndërsa kur takoi Vuçiç, në praninë e Presidentes së Komisionit Europian, Von der Leyen, e pa të arsyeshme të sillej si babai i Kombit dhe të negocionte pa mandat një zgjidhje, që më së shumti i shërbente vetëm interesave personale, të shndërrimit në faktorin e paqes në rajon”

“Zgjidhja e Kryeministrit Kurti është e vështirë. Ajo nuk mund të qortohet në pikëpamjen ligjore, por mund të diskutohet, madje edhe qortohet, në pikëpamjen diplomatike. Liderët shqiptarë kudo në Rajon e kanë kritikuar Kurtin nisur nga pikëpamja diolomatike, nga domosdoshmëria jetike e Kosovës për të ruajtur marrëdhënie të shkëlqyera me Perëndimin në përgjithësi dhe SHBA në veçanti. Kryeministri i Shqipërisë është i vetmi lider shqiptar që e ka kontestuar qëndrimin e Kryeministrit të Kosovës edhe nga pikëpamja ligjore, njësoj si Vuçiç dhe mbështetësit e tij” deklaroi Abilekaj për “Gazeta Blic”

“Më vjen keq ta them por mendoj njësoj dhe ky nuk është pozicion servili, por jam i bindur se SHBA dhe BE kanë të drejtë dhe Albini është tërësisht i gabuar sepse ata nuk po përpiqen të kënaqin Serbinë, por ta çojnë Kosovën në tjetër nivel, që do të thotë një shtet që njihet nga të gjithë, që mund të ulet në OKB dhe çdo institucion tjetër”.

“E vërtetë është dhe nuk mohohet, por gjithashtu e vërtetë është se hyrja e kryetarëve në zyra përkundër këshillave të mira të miqve të mirë të Kosovës, pa të cilët Kosova nuk do të ishte kjo që është sot, ishte një hap i tepërt. Thënë kjo, mendoj se Serbia nuk është rrezik për Kosovën që prej vitit 1999, e ka humbur përfundimisht Kosovën që prej vitit 1999. Tani është koha për paqe, për normalizim, për të pranuar për t’i dhënë Serbisë atë që i takon me marrëveshje, pra asociacionin e komunave me shumicë serbe, dhe të drejtën që Kisha Ortodokse Serbe të ketë aktivitetin e saj në Kosovë dhe që Serbia të pranojë se Kosovën nuk e ka më, dhe të pranojë njohjen reciproke” deklaroi mbrëmë kryeministri Rama, raporton Gazeta Blic”

Enton Abilekaj, Analist nga Shqipëria

/Gazeta Blic/

Rama në BBC: SHBA dhe BE kanë të drejtë, Kurti jo