Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, sot është takuar me krerët e partive opozitare, LDK dhe PDK.
Hovenier, gjatë takimeve me Lumir Abdixhikun dhe Memli Krasniqin, çështje të vetme të diskutimit e ka pasur situatën në veri dhe mbajtjen e zgjedhjeve atje.
Burime të Gazeta Blic tregojnë se në të dyja takimet, ambasadori amerikan ka insistuar vazhdimisht se zgjedhjet në veri duhet të shtyhen, për shkak të gjendjes së sigurisë atje tani.
Ndryshe, për takimet në llogaritë e tyre në Facebook kanë njoftuar Abdixhiku e Krasniqi.
Abdixhiku në Facebook ka shkruar “diskutuam për zhvillimet e fundit politike në vend, me theks të veçantë gjendjen e sigurisë në Republikën e Kosovës”.
Ndërsa, Krasniqi ka shkruar se kanë folur për zhvillimet në veri dhe e kanë njoftuar për qëndrimin e PDK-së rreth këtij procesi.
“Ne i jemi përgjigjur Dekretit të Presidentes për këtë proces zgjedhor dhe në respektim të afateve dhe ligjeve kemi propozuar kandidatët tanë për kryetarë dhe asamblistë në katër komunat në veri. Presim nga Qeveria dhe institucionet e Kosovës që të sigurojnë kushtet e favorshme për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. Garantimi i sigurisë për secilin qytetar të Republikës së Kosovës duhet të jetë prioritet kryesor”, ka shkruar Krasniqi në Facebook./Gazeta Blic/


