Deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj, ka thënë se rruga Pejë-Rugovë është kthyer në rrezik jete për qytetarët, vizitorë e vendas, e gjitha kjo për shkak të neglizhencës nga ana e pushtetit, raporton Gazeta Blic.
Ai përmes një postimi në Facebook, ka thënë se rruga është në gjendje të mjerueshme, me rrëshqitje dheu e shkëmbinjve dhe më e rrezikshme se kjo është gërryerja e shtresës së rrugës nën asfalt.
Ai ka kërkuar që qeveria të veprojë urgjentisht dhe ta parandalojë më të keqen.
Postimi i tij i plotë:
Rruga Pejë-Rugovë është kthyer në rrezik jete për vizitorë e vendas për shkak të neglizhencës nga ana e pushtetit!
Rruga Pejë Rugovë është në gjendje të mjerueshme. Traseja me gropa te panumërta, me dis-nivele, me rreshqitje dheu dhe shkëmbinjve. Por më e rrezikshmja është gërryerja e shtresës së rrugës nën asfalt. Kjo rrezikon funksionimin e shumë hoteleve, restoranteve, firmave por cka është më shqetësuese kjo rrugë është kthyer në rrezik permanent për jetën e vizitorëve të shumtë që e frekuentojnë këtë rrugë.
Kjo rrugë që kur është ndërtuar në vitet 1914-1918, deri më sot nuk ka lëvizur traseja e saj. Pse po ndodhë kjo sot, me arterien e vetme të Parkut Nacional të Beshkëve të Nemura, qe menaxhohet nga shteti?
Është çështje kohe kur do të ndodhë ndonjë katastrofë. Qeveri vepro urgjent dhe parandalo më të keqen!


