Lajme

Agusholli i VV-së: Nuk ka ndryshuar vetëm qasja e Kosovës për marrëveshjen përfundimtare, por edhe rrethanat dhe njerëzit në krye të negociatave

05/04/2024 14:58
nga:Sh R

Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, tha se me ardhjen e Qeverisë Kurti ndryshoi edhe qasja e Kosovës për marrëveshjen përfundimtare me Serbinë.

Në lidhje me këtë deklaratë ka reaguar edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Gramos Agusholli, ku thotë se nuk ka ndryshuar vetëm qasja e Kosovës për marrëveshjen përfundimtare, por kanë ndryshuar edhe rrethanat dhe njerëzit në krye të negociatave.

“Nuk ka ndryshuar vetëm qasja e Kosovës për marrëveshjen përfundimtare, por kanë ndryshuar edhe rrethanat edhe njerëzit në krye të negociatave”, tha ai.

Agusholli në një prononcim për GazetaBlic, thekson se procesi i Kosovës në agjendën ndërkombëtare ka qenë i vështirë por ka sjellë parime të dukshme.

Deputeti potencon se përkundër pengesave dhe kundërshtimeve që kanë hasur, dialogu e ka ka dërguar vendin në liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

“Fillimisht unë shpresoj që kjo deklaratë e Lajcakut, ka qenë në kontekstin pozitiv të fjalës. Në këto katër vite, Kosova është ballafaquar me shumë sfida në agjendën ndërkombëtare. Ky proces ka qenë i vështirë, por i dobishëm, duke sjellë përparime të dukshme. Përkundër pengesave dhe kundërshtimeve që janë hasur në rrugën tonë, dialogu ka çuar në liberalizimin e vizave për qytetarët kosovarë dhe menaxhimin e situatave të ndryshme me sukses. Në anën tjetër, ka pasur sfida të mëdha, duke përfshirë mungesën e kontributit konstruktiv nga disa nga mbikëqyrësit e bisedimeve”, shtoi Agusholli.

Tutje ai dialogun e Kosovës e sheh si një arritje të rëndësishme për Kosovën.

“Unë konsideroj se kjo është një arritje e rëndësishme për Kosovën, e cila tregon vullnetin tonë për të zhvilluar marrëdhënie të mira fqinjësore dhe për të përparuar drejt stabilitetit dhe prosperitetit të rajonit”, përfudoi Agusholli për GazetaBlic.